Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media ku ka propozuar që të mundësohet transporti publik pa pagesë prej muajit nëntor deri në muajin mars.
Ajri i ndotur dhe përhapja e pandemisë COVID-19 në Prishtinë, janë arsyet në të cilat bazohet propozimi PDK-së.
Afati kohor i lirimit të pagesave nga trafiku urban të jenë nga nëntori der në mars.
Asambleistja e këtij subjekti politik, Suzana Vuqitërna Kika, tha se për vite me radhë Prishtina është renditur si qyteti i parë në botë me ndotjen më të madhe të ajrit.
“Ka një javë që vlerat e matësve të ajrit të vendosur në qytet tregojnë se ai është i pashëndetshëm. Ju rikujtoj që mbajtja e maskave për qytetarët e Prishtinës ka qenë ritual i zakonshëm sa herë kanë rënë temperaturat edhe para përhapjes së pandemisë Covid 19, pikërisht për shkak të ndotjes së ajrit. E këtë vit gjendja duket të jetë edhe më e rënduar. Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish të ekspozuar ndaj ndotjes së rëndë të ajrit vuajnë nga sëmundje të identifikuara si sëmundje që rrisin ndjeshmërinë ndaj COVID-19. Personat me probleme kronike të mushkërive dhe zemrës të shkaktuara ose të përkeqësuara nga ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit, në përgjithësi janë më të prekshëm nga sëmundjet sekondare, siç janë gripi ose infeksionet. Dy faktorët kryesorë në lidhje me COVID-19 janë rreziku i marrjes së sëmundjes më shpejt sesa personat e shëndetshëm, dhe rreziku i shfaqjes së një reaksioni më të rëndë kur merret sëmundja. Prandaj, ulja e ndotjes së ajrit mund të ndihmojë në uljen e ashpërsisë se virusit.”
Ndërsa, nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Ilirik Musliu tha se PDK në Prishtinë duke e parë që qytetarëve po ju kanoset edhe një rrezik tjetër shëndetësor.
“Nga analizat që kemi bërë kjo do të ishte zgjidhja më efikase. Në studimet e fundit gjatë një dite në ora 10 të paradites, me një incizim satelitor është konstatuar se në qytetin e Prishtinës ishin 120.000 vetura të pranishme në trafik, pa i llogaritur ato që kanë qenë të parkuara brenda në garazhe. Pra, brenda ditës në Prishtinë hyjnë dhe dalin prej 70.000 – 100.000 vetura, të cilat emetojnë gazra ndotës në ambient. Nëse secila nga to shpenzon vetëm 2 litra derivate brenda qytetit, atëherë imagjinojeni sa litra derivate shpenzohen brenda qytetit në vetëm një ditë. Përveç emetimit të gazrave ndotëse, imagjinojeni shumën e parave që shpenzohen në derivate. Meqenëse bileta e autobusit aktualisht kushton 40 cent për një drejtim, pra 80 cent për vajtje-ardhje dhe familjet tona i kanë mesatarisht 4 anëtarë atëherë i bie që një familje të shpenzojë 3 euro e 20 cent brenda një dite për transport publik ose 96 euro brenda një muaji apo 384 euro për 4 muaj.”. /Insajderi.com