PDK: Komuna e Prishtinës po rrezikon jetën e banorëve dhe funksionimin e bizneseve në Kalabri

PDK: Komuna e Prishtinës po rrezikon jetën e banorëve dhe funksionimin e bizneseve në Kalabri

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kritikuar komunën e Prishtinës për mosvendosjen e kolektorit në lagjen Kalabria në Prishtinë, njofton Insajderi.

Duke thënë se po rrezikohet jeta e fëmijëve, shëndeti i qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimi i bizneseve, drejtues të PDK-së nga dega e Prishtinës, kërkuan që kolektori i ujërave të zeza të vendoset urgjentisht dhe mos të keqpërdoret durimi i qytetarëve karshi gjendjes së krijuar.

Leotrim Retkoceri, asamblistë në Kuvendin e Prishtinës, në një konferencë për media, tha se nëse këto kërkesa bijnë “në vesh të shurdhër”, si grup i PDK-së në Kuvendin komunal do të organizohen që në çdo formë të gjendet zgjidhja sa më parë.

“Është absurde se si në mes të zemrës së Prishtinës, ka lagje të tilla ku kundërmojnë erërat e zeza dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve. ….Nëse nuk do t’i marrin këto kërkesa, ne si grup i PDK-së në Kuvendin komunal do të organizohemi në çdo formë që ky projekt të realizohet sa më parë, për shkak se këtu kemi të bëjmë me jetën dhe shëndetin e qytetarëve, që preket drejtpërdrejt dhe rrezikohet nga ky kolektorë”, tha ai.

Suzana Vuçiterna-Kika, asambleiste në komunë, tha se mungesa e kolektorit për ujërat e zeza kanë dëmtuar bizneset. Sipas saj, restorantët nuk mund ta shfrytëzojnë hapësirën e jashtme.Madje, sipas saj edhe fëmijët janë të rrezikuar të bien në gropa të thella.

“Mosveprimi për vendosjen e kolektorit në lagjen Kalabria në Prishtinë, po e rrezikon jetën e fëmijëve, shëndetin e qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimin e bizneseve. Kolektori i ujërave të zeza duhet urgjentisht të vendoset dhe mos të keqpërdoret durimi i qytetarëve karshi kësaj gjendje”, tha ajo.

Banori i kësaj lagje, Ismet Cani thotë se ndaj qytetarëve të kësaj lagje po ndodh një krim.

“Problemi i ujerave të zeza në lagjen Kalabrija, është problemi më i madh momental i qytetit të Prishtinës, i cili në vete përmban rrezikimi e jetës së njerëzve për shkak të kundërmimit shumë të rënda. Ne kemi pas kontakte që nga fillimi i mandatit të pari të kryetarit aktual, i cili nuk ka marrë diçka konkrete…. mosveprimi i personave të autorizuar për eliminimin e rrezikut të shëndetit të qytetarëve, është vepër penale. Ne një ditë mund edhe ta humbim durimin”, tha ai. /Insajderi.com