PDK krenohet me “fitore” në zgjedhjet në Mitrovicën Veriore

PDK krenohet me “fitore” në zgjedhjet në Mitrovicën Veriore

Ani pse në zgjedhjet në katër komunat e Mitrovicës së Veriut, po raportohet se kandidatët e Listës Serbe prijnë me vota, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli është shprehur krenar me “fitoren” në Veri.

Veseli në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se zgjedhjet në veri dëshmuan edhe një herë sovranitetin i plotë i Kosovës.

“Përgëzoj qytetarët e katër komunave veriore të Kosovës për procesin e qetë zgjedhor që zhvilluan sot dhe i falënderoj ata për përkrahjen bindëse dhe besimin e madh për partinë e tyre, për Partinë Demokratike të Kosovës, si parti fituese shqiptare”, ka shkruar Veseli.

Tutje Veseli ka shkruar se do ta përmirësojë jetën e qytetarëve të këto komuna duke ecur përpara me “Dekadën e Re”.

“Me këto zgjedhje u konfirmua sovraniteti institucional dhe territorial i Republikës së Kosovës. Do të punojmë bashkë, edhe më shumë, për ta përmirësuar jetën e secilit, në Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, e në tërë Kosovën. Ecim përpara me Dekadën e Re”, ka shkruar ai.

Ndërsa përmes një komunikate të lëshuar nga PDK-ja, duke mos përmendur fare partitë politike serbe, ka thënë se kjo parti është në epërsi të lartë ndaj partive tjera shqiptare.

“Zgjedhjet për kryetarin e komunës, në katër komunat e veriut, të mbajtura sot, me kandidatët e saj, Gonxhe Çaushi për Mitrovicë të Veriut, Shaqir Hetemi për Leposaviq, Hysen Mehmeti për Zubin Potok dhe Ilir Peci për Zveçan, nga informatat e deritashme kanë shënuar fitore kundrejt kandidatëve tjerë shqiptarë. Sipas informatave të para nga komisionarët, procesi zgjedhor në disa vendvotime, dëshmon epërsi të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, kundrejt partive tjera shqiptare”, ka thënë PDK-ja përmes një njoftimi për media.

Në zgjedhjet në veri kandiduan tri parti: PDK, Vetëvendosje dhe Lista Serbe. /Insajderi.com