Sipas Partisë Demokratike të Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, “po dështon edhe një vit të ri shkollë”, për siç thuhet, shkak i “keqmenaxhimit të pandemisë”.
Kështu ka thënë gjatë një konference për media Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Muzafer Shala.
“Për dallim nga shumë vende që i përditësojnë të dhënat e udhëzimeve administrative dhe udhëzuesve rreth përgatitjeve të mbarëvajtjes së arsimit, në Kosovë nuk ka ndodhur ende një gjë e tillë nga MASHT-I”
“Në këto momente kur po flasim, situata në terren është alarmuese dhe shumë drejtor shkollash që kemi pyetur thonë se askush nuk i ka kontaktuar për asgjë”, ka thënë ai.
Ai ka kritikuar këtë ministri për neglizhencë të përgatitjeve të fillimit të procesit mësimor.
“I bëjmë apel Ministrisë së Arsimit dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që ta marrin seriozisht situatën me pandeminë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor”
“Në të kundërtën, dështimi i qeverisë do të zbeh besimin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve në sistemin arsimor të vendit tonë në këtë krize pandemie. Duhet që të arrihet një konsensus me të gjitha palët e interesit për ta tejkaluar këtë krizë dhe ministria të jetë konsistente me vendimet që i merr duke i informuar të gjitha palët për përgatitjet sa më herët dhe në mënyrë të duhur”, ka thënë ai.
Ditëve të fundit janë shtuar infeksionet me COVID-19.
Për këtë, Ministria e Arsimit po kërkon nga të gjithë mësimdhënësit që të vaksinohen. /Insajderi.com