PDK kritikon Kurtin: Ka ikur nga përgjegjësia në kohë pandemie

PDK kritikon Kurtin: Ka ikur nga përgjegjësia në kohë pandemie

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për siç tha ai “ikje nga përgjegjësia”.

Tahiri gjatë një konference për media para Kuvendit të Kosovës, deklaroi se kreu i ekzekutivit në vend që të merret me pandeminë dhe ekonominë e rrënuar, po merret me fushatën zgjedhore në Shqipëri.

“Qeveria nuk ka siguruar asnjë vaksinë. E vetmja gjë që Kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore”, ka thënë Tahiri.

Përfaqësuesi i partisë më të madhe opozitare në Kuvend, theksoi shqetësimin për vdekjen e 212 qytetarëve në 20 ditët e fundit si pasojë e COVID-19.

Ai tha se Kosova ka siguruar vetëm 24 mijë doza vaksinash dhe aludoi në atë që ‘kryeministri është vaksinuar i parit’. /Insajderi.com