PDK: Kurti braktisi mjekët dhe pensionistët, do t’i kërkojmë t’i kthejë shtesat financiare

PDK: Kurti braktisi mjekët dhe pensionistët, do t’i kërkojmë t’i kthejë shtesat financiare

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu kritikoi vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për uljen e shtesave për mjekët, stafin mbështetës shëndetësor dhe për pensionistët, njofton Insajderi.

Në një konferencë për medie, Zejnullahu tha se PDK e konsideron skandaloz dhe të ngutshëm këtë vendim të Qeverisë Kurti, në këtë kohë pandemie.

“Vendimi i kryeministrit Albin Kurti, i marrë në mbledhjen e Qeverisë, për të ulur shtesat për mjekët dhe infermierët për 50 për qind – nga 300 në 150 euro, si dhe për të ndarë vetëm 100 euro për stafin mbështetës teknik është jo i drejtë dhe i papranueshëm, marrë parasysh rrezikun me të cilin ballafaqohen këto kategori gjatë punës së tyre të përditshme në përballje me pandeminë COVID 19. Nuk mjafton vetëm falënderimi për ta, por duhet të ketë edhe vendime e mbështetje konkrete”, theksoi ajo.

Zejnullahu tutje shtoi se në seancën e ardhshme të Kuvendit, me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, do të diskutohet për situatën e pandemisë si dhe do të kërkojnë që kategoritë e rrezikuara të stimulohen dhe mbështeten financiarisht, duke përfshirë mjekët, punëtorët shëndetësorë, pensionistët, policët./Insajderi.com