Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj degës në Drenas e cila e nominoi Driton Ajazin kandidat për kryetar të komunës sa i përket zgjedhjeve lokale në vjeshtë të këtij viti, njofton Insajderi.
Në njoftimin dërguar mediave, subjekti opozitar thotë se në janar kishin vendosur për kandidatët për kryetarë në komunat ku PDK qeverisë.
‘’Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht kryesia qendrore, ka qenë mëse e qartë në janar të këtij viti kur ka vendosur publikisht që të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave në të cilat qeverisë ajo. PDK e ka rikandiduar Agim Aliun në Ferizaj, Naim Ismajlin në Shtime dhe njëjtë pritet të bëjë edhe me Ramiz Lladrovcin në Drenas dhe Besim Ilazin në Kaçanik’’.
Sipas reagimit, javën e kaluar kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, u ka sqaruar edhe në takime private kryetarit të degës së Drenasit, Sejdi Hoxhës dhe deputetit Ferat Shala, se kandidatura e kryetarit aktual për Drenasin është çështje e mbyllur.
Një pjesë e anëtarëve të kësaj dege njihen për mospajtime e përplasje me kryetarin aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovcin. /Insjaderi.com