Kandidatura me partinë ku janë “njerëzit që e duan babanë e tij në burg”

Kandidatura me partinë ku janë “njerëzit që e duan babanë e tij në burg”

“Trashëgimia” e Sami Lushtakut në Partinë Demokratike të Kosovës ka vazhduar të mbetet gjallë. Ndonëse ai vet është në burg, i dënuar për krime lufte, brenda PDK-së, fuqi tashmë ka marrë djali i tij, Mërgim Lushtaku.

Ai është listuar nga partia si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Mërgim Lushtaku që tash ka hapur edhe biznes për ndërtimin e hekurudhave, madje kishte deklaruar vet se brenda PDK-së ka njerëz që e duan babanë e tij në burg.

Një deklaratë të tillë ai e kishte dhënë në emisionin “Info Box” të TV Dukagjinit, me 17 nëntor të vitit të kaluar kur Gjykata e Apelit vendosi që babai i tij, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, të dënohet me shtatë vite burg.

Mërgimi, thoshte se “këto janë lojëra politike” ku akuzoi edhe bashkëpartiakë të babait të tij se e duan Samiun në burgje.

“Unë besoj se drejtpërdrejt nuk kanë pasë si t’ia bëjnë, por tërthorazi ka mundësi që disa njerëz edhe kanë folë te ndërkombëtarët, duke vepruar vet antiligjshëm dhe duke i thënë se Sami Lushtaku është pengesë për këtë çështje. Në këtë rast po flasim për PDK-në. I dimë kush janë këta njerëz, por nuk është me rëndësi t’i identifikojmë”, kishte thënë ai.

Të njejtën akuzë e kishte lëshuar edhe vet babai i tij, Sami Lushtaku.

Me 5 qershor 2015 Sami Lushtaku e kishte shkruar një letër publike në të cilën ai flet rreth dënimit të tij dhe “kontributit” të bashkëpartiakëve të tij në këtë proces. Një pjesë të kësaj letre, e kishte lexuar edhe Glauk Konjufca në Kuvendin e Kosovës, duke nxitur reagim gati në sulm ndaj tij, prej deputetit të PDK-së, Nuredin Lushtaku.

Letra titullohet “Kënd e vrava unë” dhe në një pjesë kryetari në burg i Skenderajt dhe një prej figurave të rëndësishme në PDK, Lushtaku shkruante se në “një dekadë qeverisje e PDK, pjesë e së cilës jam edhe më tutje, ka krijuar kundër nesh emocione të forta negative”.

“Dhe nuk janë vetëm kundërshtarët politik që kanë krijuar kundër nesh, të njohur si ‘krahu i luftës’, opinione të ashpër negativ. Një kontribut të madh, kundër nesh, e kanë dhënë edhe bashkëpartiakët, si ministrat dhe zëvendësministrat. Lobimi i tyre intensiv në Ambasada dhe në EULEX, kundër nesh, për një kohë të gjatë, i ka dhënë frytet e duhura, ose të pritura, të tyre”, shkruante Lushtaku.

“Në këtë mënyrë reputacioni ynë publik është rrënuar ditë pas dite, javë pas jave e vit pas viti. Ne nuk kemi qenë aq të sofistikuar sa të kuptojmë ketë lojë të ndytë. Dhe ja ku jemi sot”, shtonte ai.

Insajderi e ka kontaktuar Mërgim Lushtakun për të sqaruar nëse në listën e PDK-së për deputetë të Kuvendit të Kosovës gjenden personat “që kanë dashur ta qojnë Sami Lushtakun në burg”, por ai nuk është përgjigjur as thirrjeve e as mesazheve.

Por në një postim të para katër ditëve ai kishte thënë se “shumëkush nuk heziton të tregojë nëse ne, familja e Sami Lushtakut, është hidhëruar me atë, ose me këtë politikan, me atë ose me këtë parti”, duke mos akuzuar direkt asnjë anëtar të PDK-së por vetëm ka shkruar se familja Lushtakut është e “hidhëruar me sistemin juridik në Kosovë dhe me pafuqinë e klasës politike për t’i parandaluar këto padrejtësi”.

Të dashur e të nderuar miq, qytetarë, Siç edhe e dini, këto katër vitet e fundit për mua dhe familjen time kanë qenë…

Posted by Mergim Lushtaku on Wednesday, 17 May 2017

“Ndërsa, dëshiroj ta shpreh qartë, ne vazhdojmë të jemi aty ku kemi qenë, me Partinë Demokratike të Kosovës dhe udhëheqësinë e saj të re, me kryetarin Kadri Veseli”, ka shkruar Lushtaku.

“Nëse kemi pakënaqësi, atëherë kjo është sepse duam ta shohim këtë parti edhe me më shumë vlera dhe më të fortë, shumë më të fortë. Për të ndodhur kjo, kam vendosur që në këto zgjedhje të kandidoj për deputet të Kuvendit të Kosovës, në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ka qenë dhe mbetet edhe babai im, Sami Lushtaku”, ka shtuar Mërgimi.

Madje ai ka shkruar se kandidimi i tij për deputet duhet t’i jap fund spekulimeve.

“Ky angazhim i imi, le të shërbejë edhe si mbyllje e spekulimeve. Le të shërbejë si përgjigje që PDK-ja është unike, se Drenica është unike dhe se do të rreshtohet pa asnjë rezervë përkrah PDK-së dhe kryetarit Veseli”, ka shkruar Mërgim Lushtaku./Insajderi.com