PDK në Skënderaj bën zëvendësimin e Lushtakut me Fadil Nurën për kryetar komune

PDK në Skënderaj bën zëvendësimin e Lushtakut me Fadil Nurën për kryetar komune

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Nura, do të kandidojë për kryetar të Komunës së Skënderajt në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, njofton Insajderi.com.

Përmes një komunikate për shtyp, PDK ka bërë të ditur se kandidatit paraprak, Sami Lushtakut, i është pamundësuar kandidatura për këtë pozitë, duke shtuar se në pajtim me kërkesën e KQZ-së kanë bërë zëvendësimin e tij.

“Edhe pse po pengohet të garojë për Kryetar të Skenderajt, z. Sami Lushtaku, me besimin e qytetarëve të Skenderajt, më 17 tetor, do të jetë pranë tyre në qeverisjen e re të PDK-së në këtë komunë. Ndërkohë, në pajtim me kërkesën e KQZ-së, Dega e PDK-së në Skenderaj ka miratuar unanimisht kandidaturën e deputetit Fadil Nura për Kryetar të ardhshëm të Skenderajt”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Tutje, PDK ka shtuar se Lushtaku do të vazhdojë betejën e tij ligjore që sipas tyre të vë në pah të drejtën e tij kushtetuese.

Kurse, mbrëmjen e së martës, përmes një videoje, Lushtaku është shprehur se për këtë vendim ka pasur presion nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti. /Insajderi.com