Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Skenderaj, ka reaguar pasi Policia e Kosovës e shqiptoi gjobën prej dy mijë eurove për shkak të një tubimi të mbajtur në fshatin Rezallë të Skenderajt.
Sipas PDK-së, policia në këtë rast “ka manifestuar standarde të dyfishta dhe selektive” krahasuar me subjekte tjera politike.
Sipas policisë, në këtë tubim nuk janë respektuar masat kundër COVID-19, ndaj dhe është shqiptuar gjoba ndaj subjektit politik, po ashtu gjoba prej 200 eurove për organizatorin.
Por, në reagimin e PDK-së, dega në Skenderaj, thuhet se “në të gjitha aktivitetet publike parazgjedhore jemi duke i respektuar masat për mbrojtje nga infeksioni me COVID-19”.
“Edhe pse interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në takime është shumë i madh, ne kemi kërkuar dhe kemi aplikuar në vazhdimësi pjesëmarrje të kufizuar, duke respektuar distancën dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse”.
“Për të shmangur rrezikun nga infeksioni të gjitha takimet po mbahen më ambient të hapur dhe duke ruajtur distancën e nevojshme”./Insajderi.com