PDK në Skenderaj pasi u gjobit me 2000 euro: Policia po manifeston standarde të dyfishta

PDK në Skenderaj pasi u gjobit me 2000 euro: Policia po manifeston standarde të dyfishta

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Skenderaj, ka reaguar pasi Policia e Kosovës e shqiptoi gjobën prej dy mijë eurove për shkak të një tubimi të mbajtur në fshatin Rezallë të Skenderajt.

Sipas PDK-së, policia në këtë rast “ka manifestuar standarde të dyfishta dhe selektive” krahasuar me subjekte tjera politike.

“I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera kompetente e të pavarura të mos bien pre e presioneve politike, por të punojnë të pavarur në zbatimin e ligjit”, thuhet në reagimin e tyre të publikuar në faqen zyrtare në Facebook.

Sipas policisë, në këtë tubim nuk janë respektuar masat kundër COVID-19, ndaj dhe është shqiptuar gjoba ndaj subjektit politik, po ashtu gjoba prej 200 eurove për organizatorin.

Por, në reagimin e PDK-së, dega në Skenderaj, thuhet se “në të gjitha aktivitetet publike parazgjedhore jemi duke i respektuar masat për mbrojtje nga infeksioni me COVID-19”.

“Edhe pse interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në takime është shumë i madh, ne kemi kërkuar dhe kemi aplikuar në vazhdimësi pjesëmarrje të kufizuar, duke respektuar distancën dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse”.

“Për të shmangur rrezikun nga infeksioni të gjitha takimet po mbahen më ambient të hapur dhe duke ruajtur distancën e nevojshme”./Insajderi.com