PDK nuk do të jetë pjesë e Qeverisë: VV ta sjellë mocionin në Kuvend

PDK nuk do të jetë pjesë e Qeverisë: VV ta sjellë mocionin në Kuvend

Partia Demokratike e Kosovës nuk do t’i bashkohet Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, edhe pse një gjë e tillë është përfolur vazhdimisht ditëve të fundit.

Deputetja e këtij subjekti politik, Blerta Deliu-Kodra ka konfirmuar se kjo parti nuk do t’i bashkohen koalicionit qeverisës.

“Nuk do t’i bashkohemi koalicionit qeverisës. Ne jemi gjatë gjithë kohës në teren dhe kryetari Veseli, strukturat e rinisë dhe partisë në të gjitha nivelet janë në teren me qytetarët e Kosovës dhe po angazhohemi që të forcojmë sepse kjo fazë e rëndë e pandemisë ka kërkuar një vëmendje më të shtuar te qytetarët dhe kemi çdo ditë kërkesa të tyre për tu takuar dhe ne duhet të jemi në teren pranë tyre për t’i përfaqësuar ata në Kuvend”, tha ajo për EO.

Sipas saj, mocioni i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë nuk ka qenë serioz, duke theksuar se sapo të sigurohet 40 nënshkrime PDK-ja do veprojë brenda Kuvendit.

Deliu-Kodra tha se me ligjet në fuqi nëse mocioni dështon, do t’i shtohen edhe tre muaj jetëgjatësi kësaj Qeverie.

“Mocioni që në fillim të tij për mënyrën se si është qartësuar nuk ka pasur një seriozitet nga partia e Kurtit. Sapo të sigurohet 40 nënshkrime PDK do të jetë aty për të vepruar brenda kuvendit sapo ky mocion mund të jetë valid në mënyrën që të jetë i ligjshëm brenda Kuvendit”.

“Me ligjet në fuqi nëse mocioni dështon ne do t’ia shtojmë edhe 3 muaj kësaj qeverie. Prandaj kur një mocion nuk është i plotë dhe nuk ka vota për tu votuar në parlament është një ide e cila nuk duket që do të prodhojë diçka”, ka thënë tutje ajo. /Insajderi.com