PDK nuk merr pjesë në seancën e Kuvendit ku presidentja Osmani u drejtohet deputetëve me një fjalim

PDK nuk merr pjesë në seancën e Kuvendit ku presidentja Osmani u drejtohet deputetëve me një fjalim

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të qëndrojë në sallë të premten kur presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do t’u adresohet deputetëve përmes një fjalimi, përcjell Insajderi.com.

Lajmin e ka bërë të ditur Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili ka numëruar disa aryse për bojkotimin e kësaj seance.

Sipas tij, mandati i deritanishëm i Osmanit është karakterizuar me një numër “shkeljesh dhe dëmtimesh”, duke përmendur edhe shkarkimin e ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

“Duke i shërbyer agjendës politike të qeverisë dhe mazhorancës, Presidentja Osmani ka dështuar të shërbejë si përfaqësuese e unitetit të popullit. Mandati i saj i deritanishëm është karakterizuar nga një numër shkeljesh dhe dështimesh. Në mes tjerash

I. Presidentja Osmani ka përdorur instrumentet e institucionit të Presidentes për të realizuar qëllimet e pushtetit, në mënyrë të kundërligjshme dhe kundër kushtetuese, siç është rasti me shkarkimin e ish Kryetares së KQZ-së, znj. Valdete Daka, një skandal që u pasqyrua edhe në Raportin e BE-së për Vendin”, thuhet ndër tjerash në postim.

Tutje, Tahiri thotë se Osmani nuk është interesuar dhe angazhuar gjatë mandatit të saj për të siguruar njohje të reja për Kosovën, derisa shton se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dështuar “për t’iu kundërvënë mësymjes së Serbisë kundër shtetësisë sonë”.

“Presidentja Osmani nuk ka arritur të lexojë në mënyrë të pavarur nga pikëpamjet e mazhorancës që e ka zgjedhur, raportet, temat dhe zhvillimet politike që janë interes i shtetit të Kosovës. Presidentja Osmani ka manifestuar një paaftësi totale për të ushtruar rolin kushtetues, me theks të veçantë në agjendën e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

Gjatë mandatit të deritanishëm, Presidentja Osmani nuk është parë e interesuar dhe as e angazhuar për të siguruar njohje të reja për Republikën e Kosovës, përderisa ish bashkë partiakja e saj në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka dështuar në mënyrë sistematike për t’iu kundërvënë mësymjes së Serbisë kundër shtetësisë sonë, ngjashëm siç kanë dështuar që të dyja së bashku për të konsoliduar diplomacinë dhe përfaqësimin e Kosovës në marrëdhënie diplomatike”, shkroi Tahiri./Insajderi.com