PDK paralajmëron protesta për të kundërshtuar Qeverinë Kurti

PDK paralajmëron protesta për të kundërshtuar Qeverinë Kurti

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar protesta – si mjet demokratik – për të kundërshtuar Qeverinë Kurti, transmeton Insajderi.

Siç bën të ditur anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, këtë gjë janë të gatshëm ta bëjnë për të mbrojtur interesin qytetar nëse ai cenohet nga ekzekutivi i ri, duke shtuar se Qeveria në këto tri javë ka dhënë shenja të paaftësisë në qeverisje.

“Janë mjete demokratike, por asnjëherë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Të gjitha mjetet që janë të lejueshme, përfshirë edhe protesta, është pjesë e jetës qytetare dhe reagimit qytetar. Si e tillë do të përdorim të gjitha mjetet për ta mbrojtur interesin qytetar. Sidomos kur cenohet sovraniteti, funksionimi i shtetit, demokracia dhe integriteti qytetarë ne do të jemi në ballë të mbrojtjes së tyre”, ka thënë ai.

Sipas Gjoshit, mungesa e programit qeverisës dy muaj pas zgjedhjeve të 14 shkurtit tregon se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka çka t’ju ofrojë qytetarëve.

“Mungesa e programit tregon se ata janë njerëz pa përvojë politike dhe tregon që nuk kanë pasur ndonjë ndjesi për interesin e qytetarëve. Ata me një politikë kanë arritur tek fitimi i rezultatit zgjedhor duke realizuar pakënaqësinë qytetare, por nuk kanë pasur një ofertë të mirë për qytetarët dhe ajo që e kemi thënë gjatë fushatës zgjedhore po argumentohet edhe sot. Edhe pse ka dy muaj që ka përfunduar procesi zgjedhor ata ende nuk ia kanë ofruar qytetarëve të Kosovës një vizion se si do të qeverisin në këtë vend. Edhe për kaq ditë që kanë qeverisë kanë dhënë shenja të paaftësisë dhe mungesës së përvojës qeverisëse”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe miratimin e koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, duke kërkuar që të ruhet pavarësia e gjyqësorit dhe prokurorisë në mënyrë që mos të kalohet në arbitraritet politik.

“Të ruhet pavarësia e gjyqësorit, prokurorisë dhe funksionimi i institucioneve për ndarje të pushteteve për të mos kaluar në arbitraritet. Besoj që kjo është në fillimet e saja dhe gjatë kohës deputetët tanë do të kenë kohë të japin kontributin e tyre për të qenë konform standardeve evropiane dhe mos të përdorët për hakmarrje politike dhe mbylljen e gojës opozitës, shoqërisë civile dhe mediave”, ka thënë Gjoshi. /Insajderi.com