Qasja e Qeverisë së Kosovës në politikën e jashtme po kritikohet nga Partia Demokratike e Kosovës.
Deputetja e kësaj partie, Blerta Deliu Kodra tha se vendi është në status-quo, ngase që një vit që kur Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet nuk ka asnjë njohje e anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
”Ka disa vjet që Kosova jo vetëm që nuk ka asnjë njohje, por nuk ka asnjë anëtarësim në ndonjë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar dhe për pasojë natyrisht që vendi është në status-quo sa i përket politikës së jashtme dhe angazhimit që do të duhej ta kenë institucionet e Kosovës për të lobuar më shumë”, u shpreh ajo.
Deputetja Deliu-Kodra kritikoi ministren e Punëve të Jashtme dhe Diaspores, Donika Gërvalla për të cilën thotë se ka prodhuar vetëm skandale.
“Krejt çfarë kemi gjatë këtyre viteve kanë qenë skandale të shumta të ministres së Jashtme, por nuk kemi pasur asnjë hap që e përafron Kosovën me ndonjë shtet”, u shpreh ajo.
Anëtarja e Komisionit për Integrim Evropian tha se Kosova nuk qëndron mirë as me shtetin amë, Shqipërinë.
“Për pasojë kjo Qeveri ka përshkallëzuar në masë të madhe edhe me shtetet tona mike shtetin amë Shqipërinë, me Malin e Zi dhe nuk qëndrojmë siç kemi qenë më herët dhe nuk ka asnjë agjendë e Ministrisë së Jashtme për ta fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës në këtë kohë kur zhvillimet janë zhvendosur në Ukrainë”.
Ndërsa, shpreh shqetësim edhe në lidhje me mos njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Kosova nuk është që ka pasur ndonjë hap të saktë dhe ndonjë agjendë të qartë qoftë me njohjen e 5 shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën e qoftë edhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB, por edhe me njohjet të cilat i kemi harruar tash e sa kohë”, tha Deliu-Kodra.
Sipas saj, përpjekjet e Qeverisë deri tani kanë qenë të zbehta sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
“Besoj fortë që Qeveria duhet të jetë e vëmendshme që të mos ketë vetëm deklarata të tilla për konsum të brendshëm për anëtarësim qoftë në OKB, qoftë në NATO siç kemi dëgjuar ditëve të fundit, por duhet të jetë e përgatitur që t’i merr përsipër obligimet si Qeveri që Kosova duhet t’i përmbushë për t’u përafruar me shumë shtete për t’u bërë që ky anëtarësim të ndodhë. Çfarë kemi parë deri tash përpjekjet e Qeverisë kanë qenë të zbehta dhe nuk ka asgjë konkrete qoftë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, qoftë për NATO. Por nuk ka asnjë hap të kryeministrit të presidentes dhe ministres së Jashtme për ta forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, u shpreh Deliu – Kodra./Insajderi.com