Dy partitë e koalicionit në Qeveri, kanë bërë të ditura kandidatët e tyre për kryetar të Komunës së Drenasit, të cilat do të mbahen me 4 dhjetor, pas dorëheqjes së Nexhat Demakut, i cili u dënua me shtatë vite burg për krime gjatë luftës.
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci është kandidatura e Partisë Demokratike të Kosovës për këtë post, ndërsa partneri i kësaj partie në Qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nominuar Bedri Nikën.
PDK ka komunikuar lajmin duke thënë se vendimi për kandidaturën e Lladrovcit vije pas diskutimeve në Kryesinë e Degës në Drenas ku i pranishëm ka qenë edhe kryetari i partisë, Kadri Veseli.
Ndërsa për kandidatin e LDK-së për kryetar komune, sipas komunikatës nga kjo parti, ka vendosur kryesia e LDK-së.
“Kryesia e LDK-së, gjithashtu miratoi kërkesën e Degës së LDK-së në Drenas, që LDK-ja të garoj e vetme në këto zgjedhje komunale dhe kandidat i LDK-së për zgjedhjet për kryetar të Drenasit të jetë Bedri Nika, njëkohësisht kryetar i Degës së LDK-së në Drenas”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Në zgjedhjet e 2013-ës kandidati i PDK-së, Nexhat Demaku kishte fituar 63.44 për qind të votave për kryetar komune ndërsa ai i LDK-së 5.05 për qind të votave./Insajderi.com