PDK reagon pas sondazhit të Bislimit: Po garon të shpallet “politikani më qesharak”

PDK reagon pas sondazhit të Bislimit: Po garon të shpallet “politikani më qesharak”

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka deklaruar se Besnik Bislimi nga Lëvizja Vetëvendosje, është në garë serioze që të shpallet “politikani më qesharak” për vitin 2020, njofton Insajderi.

Kjo deklaratë e Bytyçit vjen pasi Bislimi publikoi një sondazh sipas të cilit VV-ja do të arrijë t’i ketë 55 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Bytyçit, ky sondazh është një gënjeshtër e madhe.

“Siç duket, Besnik Bislimi, është në garë serioze që të shpallet “politikani më qesharak” për vitin 2020.Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 55 deputetë në zgjedhjet e ardhshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjithnjë sipas sondazheve.Tash, këtu e kemi një problem matematikor dhe një gënjeshtër të madhe publike, nga Albin Kurti e deri te zyrtari më i vogël na kanë thënë se do t’i marrin 50% të votave”, ka shkruar ai.

Ai thotë se mes deklaratës së Kurtit dhe Bislimit është një diskrepancë.

“50% e votuesve gjithnjë sipas Albinit me shokë me trendin aktual të daljes, nuk ja qet 55 deputetë.  Andaj, profesorin e nderuar të Ekonomisë e ftoj me mirësjellje që mos ta turpëroj veten më shumë e lë ta bëj matematikën vet, siç po shpresoj kërkon nga vet studentët e tij. Në mes të deklaratës së Albin Kurtit dhe Besnik Bislimit, ekziston një diskrepancë, dikush këtu nuk po e thotë të vërtetën”, tha Bytyçi./Insajderi.com