PDK shpalli zgjedhjet e brendshme për kryetar, reagon Çitaku

PDK shpalli zgjedhjet e brendshme për kryetar, reagon Çitaku

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e quan lajm jashtëzakonisht të mirë shpalljen e zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, njofton Insajderi.

Sipas saj, PDK ka bërë hapin e duhur duke vendosur për të shkuar në zgjedhje për lidershipin e partisë.

“Lajm jashtëzakonisht i mirë. Përtej ndryshimeve nominale, ndryshimet programore dhe strukturore janë po aq të rëndësishme. Në një demokraci të shëndoshë roli i opozitës është vital”, shkruan Çitaku në Facebook.

Ndërkaq, për kryetarin aktual Enver Hoxhaj, ajo thotë se ka respekt maksimal, pasi që “në rrethana krejt të jashtëzakonshme mori përgjegjësinë për ta udhëhequr PDK-në”.


Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, e hënë, ka marrë vendim për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më 3 korrik 2021.

PDK është prej fillimit të nëntorit të vitit të kaluar me ushtrues detyre të kryetarit pas dhënies së dorëheqjes nga Kadri Veseli, i cili ndodhet në Hagë pasi akuzohet për krime lufte./Insajderi.com