“PDK s’ka vija të kuqe për asnjë parti, as për Vetëvendosjen”

“PDK s’ka vija të kuqe për asnjë parti, as për Vetëvendosjen”

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se partia të cilën e përfaqëson nuk ka vija të kuqe për asnjë tjetër subjekt politik, duke përfshirë edhe Lëvizjes Vetëvendosje, njofton Insajderi.

Musliu ka thënë se në PDK s’është diskutuar për koalicione parazgjedhore për zgjedhjet që pritet të mbahen së shpejti.

“Partia Demokratike asnjëherë nuk ka vendosur vija të kuqe. PDK, koalicionin e përjetshëm e ka me qytetarët e Kosovës. Ne çdo herë do të jemi garanci për një shtet me integritet, një shtet me sovranitet të plotë, dhe një shtet ku secili qytetarë i Republikës së Kosovës do të ndihet i dinjitetshëm. Asnjëherë nuk do të vendosim vija të kuqe për askënd, dhe nëse edhe Lëvizja Vetëvendosje është parti shqiptare e Kosovës, atëherë kjo nënkupton që edhe për Lëvizjen Vetëvendosje vlejnë rregullat e njëjta dhe nuk bëjmë përjashtim. Por deri më tani, si parti politike dhe si struktura organizative vendimmarrëse, ne nuk e kemi në tavolinë temën ose diskutimin e koalicioneve as parazgjedhore, apo edhe pas zgjedhore, për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo për KP.

Sipas Musliut, nga qëndrimi i PDK-së që të mos ketë vija të kuqe ndaj partive tjera kanë mësuar të gjitha partitë.

“Partia Demokratike e Kosovës tashmë vitet e fundit ka filluar të shndërrohet në një model se si duhet të funksionojnë partitë demokratike në një shtet të pavarur. E them këtë sepse para një viti kishim zgjedhje në Kosovë dhe të gjitha partitë politike vendosën vija të kuqe karshi Partisë Demokratike të Kosovës, ishte e vetmja PDK-ja ajo e cila ishte kundër vijave të kuqe për partitë politike shqiptare të Kosovës. Tani në këto zgjedhje që po ofrohen të gjitha partitë, në çdo studio televizive, në çdo paraqitje thonë se vijat e kuqe janë të padobishme dhe nuk do të jenë prioritet për asnjë parti. Kjo do të thotë se kanë marrë mësim nga e kaluara, dhe Partia Demokratike iu ka dhënë një leksion partive tjera”, ka shtuar ajo. /Insajderi.com