PDK zgjedh ministrin e ri të Inovacionit – thotë se është e vetmja parti që jep mundësi reale për njerëzit e rinj

PDK zgjedh ministrin e ri të Inovacionit – thotë se është e vetmja parti që jep mundësi reale për njerëzit e rinj

Kadri Veseli, kryetar i PDK-së,  ka prezantuar sot ministrin e ri të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shalën.

Muzafer Shala është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe vjen nga Dega e PDK-së në Vushtrri.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha gjatë prezantimit të ministrin të ri se Inovacioni dhe ndërmarrësia janë elementet kryesore të ekonomisë që synon Kosova.

Gjatë këtij emërimi ka folur kryetari Veseli i cili tha se Kosova ka shumë njerëz premtues por që shumë nga ta po e lëshojnë vendin.

“Njëri nga parimet kryesore për të krijuar ndërmarrësi dhe inovacion është bashkëpunimi adekuat në mes industrisë dhe botës akademike, së bashku me zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ne kemi shumë njerëz premtues në Kosovë. Fatkeqësisht shumë prej tyre po e lëshojnë vendin; qëllimi jonë është që ta ndalim zbrazjen e trurit dhe t’i japim rinisë sonë arsye për të qëndruar këtu. Një mjedis që i siguron rinisë sonë kushte dhe programe për t’i realizuar ëndrrat e tyre, për të implementuar idetë e tyre inovative – definitivisht do t’i bindë ata për të qëndruar, ka thënë Veseli.

Ai tha se ministri i ri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka potencial për ta bërë bashkëpunimin e duhur ndërmjet botës akademike dhe industrisë nga njëra anë, si dhe për t’i ofruar të rinjve kushtet e nevojshme dhe mjedisin e përshtatshëm nga ana tjetër, në mënyrë që të sendërtohen ëndrrat e tyre. Kreu i PDK-së tha se emërimi i Muzafer Shalës në pozitën e ministrit po ashtu dërgon mesazhin e duhur se PDK i jep hapësirën meritore njerëzve të rinj dhe premtues.

“Do të ketë akoma më shumë hapësirë në politikën tonë për njerëzit e shkathtë dhe të talentuar, dhe pikërisht PDK-ja është platforma e tyre. Njerëzit premtues që duan t’i shfrytëzojnë cilësitë e veta intelektuale, profesionale dhe morale, për ta zhvilluar e promovuar shtetin tonë, do ta kenë vendin meritor në PDK. PDK është e vetmja parti që jep mundësi reale për njerëzit e rinj dhe premtues”, tha Veseli.

“Ne do të vazhdojmë të promovojmë njerëz të rinj, ne do ta vazhdojmë luftën tonë të pakompromis kundër korrupsionit, dhe jam i bindur se bashkë me Muzaferin dhe të tjerët do ta udhëheqim Kosovën suksesshëm në Dekadën e Re”, tha Veseli.