PDK zyrtarizon kandidaturën e Lushtakut për kryetar të Skenderajt

PDK zyrtarizon kandidaturën e Lushtakut për kryetar të Skenderajt

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zyrtarizuar kandidaturën e Sami Lushtakut për kryetar në komunën e Skenderajt, njofton Insajderi.

“Jam i nderuar që jam sot në mesin tuaj, në qytetin që i ka dhënë Kosovës një burrështetas si Presidenti Hashim Thaçi, njeriu që ka shënuar epokën e Kosovës së lirë e të pavarur, i cili së bashku me Kryetarin Kadri Veseli dhe bashkëpunëtorë të tjerë, jo vetëm që përmbyllën projektin kombëtar të çlirimit, por edhe të pavarësisë dhe shtetndërtimit. Jam i nderuar të jem këtu me një nga protagonistët e luftës sonë për çlirim, njeriun tuaj, njeriun e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarin e ardhshëm të Skenderajt, Sami Lushtakun”, tha ai.

Krasniqi u bëri thirrje qytetarëve të Skenderajt që ta përkrahin kandidatin e PDK-së, Sami Lushtaku “për ta përfunduar planin për ta bërë Skënderajn një qytet që Kosovën e bën krenare, jo vetëm për historinë e lavdinë, por edhe për modelin e zhvillimit”.

Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, njëherësh kandidat për kryetar të Skënderajt, Sami Lushtaku falënderoi kryetarin Krasniqi dhe strukturat e PDK-së për besimin e dhënë për të qeverisur përsëri me Skënderajn.

“Unë jam shumë i nderuar dhe krenar që qytetarët e Skenderajt tash e 20 vite e mbështesin fuqishëm PDK-në. Jam krenar që edhe këto zgjedhje qytetarët e Skenderajt të bashkuar do të festojmë fitoren e madhe të radhës në tetor dhe do të vazhdojmë projektet për vazhdimin e zhvillimit të Skenderajt”, tha Lushtaku. /Insajderi.com