PE: Vendet e BE-së ta njohin Kosovën, pavarësia e saj është e pakthyeshme

PE: Vendet e BE-së ta njohin Kosovën, pavarësia e saj është e pakthyeshme

Parlamenti Evropian ka miratuar raportin për Kosovën, përmes së cilit u ka bërë thirrje edhe një herë pesë shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi Komisioni Evropian qëmoti ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Para se të votohej për raportin si tërësi, ishte votuar për amendamentet e veçanta të prezantuara nga deputetët e Parlamentit Evropian.

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila edhe e kishte përpiluar tekstin e raportit, është shprehur e kënaqur me miratimin e këtij raporti.

Ajo ka thënë se edhe BE-ja ka “detyra të shtëpisë” për të bërë.

“Prandaj kemi bërë thirrje për Këshillin (e BE-së) që më në fund të miratojë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

Në raport, Kosova kritikohet për mungesë të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të agjendës së reformave evropiane.

Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e jostabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë.

Po ashtu, kërkohet që Kosova të sigurojë reformën e sistemit gjyqësor në mënyrë që ai të jetë më transparent, efikas dhe pa ndërhyrje politike. Në të njëjtën mënyrë, kërkohet edhe reforma e administratës publike.

Në raport përmendet se Kosova ka një “mjedis pluralist dhe të gjallë mediatik”, por kërkohet që të garantohet transparencë e plotë e pronësisë së mediave dhe pavarësia dhe liria nga ndikimet politike./Insajderi.com