PE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën, kërkohet nga Këshilli Evropian të veprojë

PE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën, kërkohet nga Këshilli Evropian të veprojë

Parlamenti Evropian ka mbështetur kërkesën për liberalizim të vizave për Kosovën, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Në votimet plenare për raportin e Kosovës, shumica dërrmuese mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe i bëjë thirrje Këshillit të BE-së të veprojë”, ka shkruar ajo në llogarinë personale në Twitter.

Ajo më tutje ka treguar se për liberalizimin e vizave kanë votuar 472 pro europarlamentarë, 165 ishin kundër, ndërsa 41 të tjerë kanë abstenuar.

Ndërkohë, gjatë raportimit në Parlamentin e Evropës, Cramon ka inkurajuar Kosovën të vazhdojë reformat e brendshme.

“Raporti gjithashtu inkurajon Kosovën të bëjë më shumë përpjekje për çështje të ndryshme të brendshme dhe lokale. Midis tyre tema si ndryshimi i klimës, politika arsimore, dhuna me bazë gjinore, për të përmendur vetëm disa … Qeveria e Kosovës duhet të kalojë reformat dhe zbatojë ato vazhdimisht”, tha ajo.

Ndryshe, Komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Olivier Varhelyi pohoi se Komisioni Evropian pajtohet se është koha që të liberalizohen vizat për Kosovën, por që vendimi duhet të merret nga vendet anëtare të BE-së, prandaj ky institucion inkurajon autoritetet e Kosovës që t’u drejtohen anëtarëve dhe të punojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje. /Insajderi.com