Peja humb objektin gati 100 vjet të vjetër të Shkollës së Artit

Peja humb objektin gati 100 vjet të vjetër të Shkollës së Artit

Buldozerët e kanë rrafshuar njërën prej ndërtesave më të vjetra të qytetit të Pejës. Objekti gati 100 vjet i vjetër i shkollës së parë të mesme të arteve aplikative në Kosovë, “Odise Paskali” do të zëvendësohet me një të ri, shkruan sot Koha Ditore.

Ky veprim i Komunës së Pejës është cilësuar si fshirje e memories kolektive të qytetit, e krim ndaj trashëgimisë kulturore. Megjithëse ndërtesa nuk ishte nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore – fakt ky me të cilin çuditën edhe vetë zyrtarët e trashëgimisë kulturore – reagimet kanë qenë të fuqishme.

Komuna këtë veprim e ka bërë që t’i lirohet vend objektit të ri, që do të ngrihet në vend të atij që u ndërtua më 1926, i shfrytëzuar nga shkolla e themeluar më 1949.

Rrënimi i objektit të vjetër të shkollës është bërë pa leje. Humbja e objektit të vjetër të shkollës ka shkaktuar reagime të shumta në qytetin e Pejës, përfshirë shoqërinë civile, qytetarët dhe opozitën.

Por ndryshe mendojnë zyrtarët komunalë. “Jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe e kuptojmë që opozita në ethet parazgjedhore mundohet të krijojë opinione, por ne e ftojmë opozitën që me e përkrahë, sepse jemi duke ndërtuar shkollë e jo diçka tjetër që nuk i përket arsimit”, ka thënë Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, duke i cilësuar reagimet si politike..