Zëdhënësi i INFRAKOS-it, Rafet Çitaku: Ne nuk kemi ndërhyrje në pronën tonë, ata kanë ndërhyrje në pronë tonë. Ne jemi duke e liruar, pra ka shkuar një komision me qëllim për t’u marrë vesh, ose ata vetë ta demontojnë vendkalimin ilegal ose ne duhet të ndërhyjmë për ta liruar atë vendkalim ilegal, i cili paraqet rrezik në komunikacionin hekurudhor.
Në hyrje të qytetit të Pejës, përkatësisht afër kompanisë private “Birra Peja”, ka ndodhur një ndërhyrje me eskavator dhe me makineri të tjera të hekurudhës, sot, e hënë, rreth orës 11:00.
Gazeta Online Insajderi ka arritur të marrë pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet se në vendkalimin hekurudhor pranë kësaj kompanie po ndodh një ndërhyrje për të cilën janë deklaruar edhe nga Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës “INFRAKOS”.
Zëdhënësi i INFRAKOS-it, Rafet Çitaku, derisa ka sqaruar për Insajderi-n se çfarë ka ngjarë në këtë vendkalim, ka thënë se kjo ndërhyrje është duke u bërë nga ana e kompanisë private në pronën e INFRAKOS-it, për çka janë njoftuar edhe policia.
Ai ka shtuar se në vendngjarje ka dalë edhe një komision me qëllim të lirimit të këtij vendkalimi, të cilin Çitaku e quan ilegal e që paraqet rrezik në komunikacionin hekurudhor.
“Ne nuk kemi ndërhyrje në pronën tonë, ata kanë ndërhyrje në pronë tonë. Ne jemi duke e liruar, pra ka shkuar një komision me qëllim për t’u marrë vesh, ose ata vetë ta demontojnë vendkalimin ilegal ose ne duhet të ndërhyjmë për ta liruar atë vendkalim ilegal, i cili paraqet rrezik në komunikacionin hekurudhor”, ka thënë ai.
Çitaku tutje ka shtuar se ashtu siç parashihet sipas ligjeve në fuqi, prej një vendkalimi në vendkalimin tjetër, duhet të jetë një hapësirë rreth një km e gjysmë larg, ndërsa aty janë rreth 700m, gjë që mund të shkaktojë rrezik të përgjithshëm në komunikacionin hekurudhor.
“Parashihet sipas ligjeve në fuqi që duhet të jenë vendkalime rreth një kilometër e gjysmë larg, ndërsa aty janë 700 metra prej vendkalimit në vendkalim. Ai ka qenë i përkohshëm diku për një vit, ka qenë derisa t’i përfundojnë disa punë të tyre, mirëpo që nuk i është përgjigjur pëlqimit paraprak dhe ndërhyrja duhet të bëhet. Po për çështjen e intervenimit dhe për çështjen e marrëveshjes apo mosmarrëveshjes dhe për detaje të tjera, duhet të presim derisa të kthehet komisioni nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Çitaku për Insajderi-n.
Lidhur me rastin, redaksia ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Policia e Kosovës.
Nga policia thonë se ata janë ftuar nga INFRAKOS-i për t’iu asistuar, por nuk kanë pasur më shumë detaje.
“Në lidhje me ngjarjen, mund të konfirmoj se Policia ka asistuar INFRAKOS-in gjatë punimeve të sotme”, ka thënë shkurtazi zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ndërsa, nga Ministria e Infrastrukturës deklarohen se nuk janë në dijeni për rastin.
Mal Lokaj, Drejtor i Menaxhimit të Rrugëve, është shprehur se një çështje e tillë mund të jetë “private” mes kompanisë dhe INFRAKOS-it, pasi që një ndërhyrje e tillë ka ndodhur larg brezit të rrugës nacionale për të cilën janë përgjegjës nga ky digaster qeveritar.
Përndryshe, nëse punimet bëhen brenda perimetrit të rrugës, Lokaj thotë se kërkohet leje mepatjetër nga ministria.
“Nuk kam dijeni deri tani. Nëse ata ndërhyjnë në brez rrugor, që ne e kemi vetëm rrugën nacionale, pra nëse ndërhyjnë brenda perimetrit të rrugës, distancave që i kemi caktuar me ligj ata duhet patjetër të marrin leje prej nesh, nëse janë larg brezit rrugor atëherë mund të jetë çështje private. Ata i kanë inspektorët e vet, sigurisht mund t’i verifikojnë se kush janë ata si kompani dhe çfarë projekti kanë, ne nuk dimë, të paktën deri më tani nuk jemi në dijeni”, ka thënë Lokaj.
Ky segment në hyrje të Pejës, është në pronësi të “INFRAKOS-it”, ndërsa është përdorur si rrugëdalje nga “Birra Peja”, për rreth një vit. /Insajderi.com