Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka anuluar të gjitha ngjarjet e paralajmëruara me rastin e 8 shtatorit, Ditës së Pavarësisë, për shkak të humbjes së 14 jetëve si pasojë e zjarrit që kaploi spitalin COVID në Tetovë gjatë mbrëmjes të së mërkurës, transmeton Insajderi.com.
Pendarovski shprehu ngushëllime për familjet, duke thënë: “ngushëllime familjeve dhe të afërmve të të ndjerve në tragjedinë e tmerrshme në Qendrën Kovid në Tetovë. Të lënduarve u uroj shërimit të suksesshëm”, raporton ‘Zhurnal.mk’.
Të paktën 14 persona kanë humbur jetën në zjarrin që shpërtheu mbrëmë rreth orës 21:00 dhe në të cilin u dogj plotësisht qendra për COVID-19 në Tetovë.
Sipas informacioneve fillestare të prokurorisë, nuk ka personel mjekësor mes viktimave. Shkaqet e zjarrit po përcaktohen. /Insajderi.com