Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në ditën e parë të nisjes së zbatimit vendimit të reciprocitetit për targa të përkohshme, ka lëshuar një mijë e 455 sosh.
Vendimi u respektua në shumicën e pikave kufitare, pos dy në veri të vendit, ato në Bërnjak dhe Jarinjë, ku qytetarë serbë kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste.
“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj është duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë të gjitha pikat e kalimit kufitarë me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë-konkretisht targave të automjeteve, ku gjatë 24 orëve të fundit ministria ka lëshuar 1.455 targa provuese”, thuhet në komunikatën për media.
Ky vendim është marrë si përgjigje ndaj Serbisë që ka disa vite që ka bërë ngjashëm me veturat të cilat kishin targat e Kosovës (RKS).
Vendimi ka nxitur protesta të serbëve që kanë bllokuar rrugët në Jarinje e Bërnjak, në drejtim të pikave kufitare me Serbinë.
Për marrjen e targave të përkohshme duhet të paguajnë 5 euro dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë./Insajderi.com