Për 24 orë MPB-ja lëshoi 1455 targa të përkohshme

Për 24 orë MPB-ja lëshoi 1455 targa të përkohshme

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në ditën e parë të nisjes së zbatimit vendimit të reciprocitetit për targa të përkohshme, ka lëshuar një mijë e 455 sosh.

Vendimi u respektua në shumicën e pikave kufitare, pos dy në veri të vendit, ato në Bërnjak dhe Jarinjë, ku qytetarë serbë kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste.

Ndaj, MPB-ja ka kërkuar nga qytetarët që t’i shmangin këto dy pika kufitare.

“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj është duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë të gjitha pikat e kalimit kufitarë me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë-konkretisht targave të automjeteve, ku gjatë 24 orëve të fundit ministria ka lëshuar 1.455 targa provuese”, thuhet në komunikatën për media.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar në shtator të 2016-s për mbulimin me letër ngjitëse në pjesë të caktuara të tabelave. Por, pasi marrëveshja ka përfunduar para një jave, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ua vendosë targat e përkohshme të gjitha veturave që hyjnë në territorin e saj nga Serbia.

Ky vendim është marrë si përgjigje ndaj Serbisë që ka disa vite që ka bërë ngjashëm me veturat të cilat kishin targat e Kosovës (RKS).

Vendimi ka nxitur protesta të serbëve që kanë bllokuar rrugët në Jarinje e Bërnjak, në drejtim të pikave kufitare me Serbinë.

Për marrjen e targave të përkohshme duhet të paguajnë 5 euro dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë./Insajderi.com