
Që prej ardhjes në krye të vendit, kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë një varg vendimesh krye në vete, pa u konsultuar ndonjëherë madje as me ministrat e tij vartës. Kështu kishte bërë vitin e kaluar me ndarjen e fondit për të ndihmuar familjet e personave pjesëmarrës në konfliktin me policinë maqedonase në Kumanovë. E kur ishte pyetur për vendimin ishte përgjigjur se “veç m’u ka tekë”.
Edhe gjatë këtij viti kryeministri Ramush Haradinaj ka vazhduar me ndarjen ad-hoc të fondeve nga buxheti i Republikës së Kosovës. Këto fonde janë ndarë kryesisht nga fondi i rezervës shtetërore. Në një rast madje, ministri Financave Bedri Hamza kishte tërhequr vërejtjen se nëse vazhdon ky avaz i shpenzimit të këtyre mjeteve, atëherë shteti rrezikon të mbetet pa fondin rezervë.
Muharrem Shahini, zëdhënës i Ministrisë së Financave, ka thënë për Insajderin se kjo ministri nuk ndërhyn në punën e kryeministrit për vendimet rreth ndarjes së buxhetit. “Për të gjitha pyeteni Zyrën e Kryeministrit”, ka thënë Shahini.
Ndarja e fondit për rrymën e shpenzuar nga serbët në veri, pastaj fondit për dërgimin në det të veteranëve të luftës, fondeve për shënimin e përvjetorit të pavarësisë dhe vitit të Skënderbeut janë vetëm disa nga vendimet që janë marrë nga janari deri në mes të korrikut.
“Bazuar në dispozitat e ligjit për MFPP dhe ligjit vjetor për buxhetin, Qeveria shqyrton kërkesat e veçanta dhe aprovon në rastet kur vendos që janë të arsyeshme, për lejimin e mjeteve për nevoja specifike apo kërkesa specifike, nga fondet përkatëse që janë të specifikuara me ligj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit lidhur me ndarjen e shpeshtë të mjeteve nga fondi rezervë.
Ndryshe, për gjashtë muajt e parë të viti 2018, pra për periudhën janar-qershor janë shpenzuar mbi 3 milion e 300 mijë euro nga fondi i rezervës me vendime të veçanta të Qeverisë.
Në mbledhjen e datës 12 janar, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerën prej 65 mijë euro për 9 OJQ të licencuara të cilat ofrojnë shërbime për mbrojtje të fëmijëve, strehimin e viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit.
Po me datën 12 janar Qeveria ka nxjerrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë rreth 55 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për manifestimin multikuturor “Flaka e Janarit” 2018 në Komunën e Gjilanit. Mjetet janë ndarë nga shpenzimet e paparashikuara, kategoria e shpenzimeve të rezervës.
Në mbledhjen e datës 13 shkurt, Qeveria ka nxjerrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 600 mijë euro për realizimin e programit të Këshillit Organizativ për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e datës 20 shkurt, Qeveria ka marrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 120 mijë euro për 800 familjet e rrezikuara të komunitetit egjiptian.
Po më 20 shkurt, Qeveria ka marrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 152 mijë euro për Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e kufirit shtetëror.
Në mbledhjen e datës 28 shkurt, Qeveria ka marrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 50 mijë euro për Këshillin Konsultativ për Komunitet në kuadër të Zyrës së Presidentit për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve të Këshillit, të cilat kontribuojnë në marrëdhëniet harmonike midis të gjitha komuniteteve të Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e datës 5 mars, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 1 milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave veriore të Kosovës.
Në mbledhjen e datës 9 mars, Qeveria ka nxjerrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 75 mijë euro për Doganën e Kosovës për furnizim me banderola për miell për implementimin e Udhëzimit Administrativ nr. 06/2017 të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në mbledhjen e datës 9 mars, Qeveria po ashtu ka marrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 500 mijë euro për shënimin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, të shpallur si vit Gjithëkombëtar i Skënderbeut.
Në mbledhjen e datës 23 mars, Qeveria ka nxjerrë vendim ku aprovohet kërkesa e Këshillit Prokurorial të Kosovës, përkatësisht Prokurorisë Speciale të Republikës, për kompensimin e shtesave dhe stimulimin financiar të stafit administrative për vitin 2018 në shumë prej rreth 60 mijë euro.
Në mbledhjen e datës 29 mars, Qeveria ka nxjerrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 40 mijë euro për realizimin e aktiviteteve për afirmimin dhe integrimin e komunitetit malazez në Kosovë.
Po ashtu më 19 prill, Qeveria ka nxjerrë vendim të ndahet një shumë tjetër prej 40 mijë euro për të njëjtin destinim për komunitetin malazez në Kosovë.
Ndërsa, në mbledhjen e datës 27 prill, Qeveria ka nxjerrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 40 mijë euro për komunitetin kroat që jeton në Janjevë.
Në mbledhjen e datës 8 maj, Qeveria ka nxjerrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 20 mijë euro për mbështetjen e familjeve të zyrtarëve policorë që kanë humbur jetën tragjikisht në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit. Mjetet ndahen nga 10 mijë euro për secilën familje.
Në të njëjtën datë aprovohet kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndarjen e mjeteve në shumë prej 58 mijë euro për pagesën e punonjësve me kontrat për shërbime të veçanta në rezidencën presidenciale “Ibrahim Rugova”.
Në mbledhjen e mbajtur më 29 maj, Qeveria ka nxjerrë vendim ku aprovohet kërkesa për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 107 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të shërimit të Etnik Balajt.
Në të njëjtën mbledhje është aprovuar kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 300 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të 1500 veteranëve për pushime verore në bregdetin e Shqipërisë.
Në mbledhjen e datës 12 qershor, Qeveria ka nxjerrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 20 mijë euro për Flutura Ibrahimin.
Në mbledhjen e datës 26 qershor, Qeveria ka nxjerrë vendim të ndahen mjete financiare në shumë prej 30 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për trajtim mjekësor jashtë vendit të ish-kryeministrit Bujar Bukoshi.