“Ku ke pa’ ti me e fitu’ lirinë pa luftë…pa gjak” kishte thënë Avokati Bajram Kelmendi në një emision të TV Prishtinës qysh në vitin 1989. Ky konstatim i tij i drejtë, siç do të dëshmohet më vonë, vinte mbështetur në përvojat e tij jetësore dhe të familjes së tij, me ata, që ai me të drejtë i quante “armiq shekullor” të shqiptarëve. Kështu edhe ndodhi, dhe në një moment, dhjetë vjet më vonë, më 24 mars 1999, edhe vetë Bajram Kelmendi bashkë me të dy bijtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin do ta paguajnë shumë shtrenjtë, me jetët e tyre, me gjakun e tyre, angazhimin për lirinë e shqiptarëve dhe për pavarësinë e Kosovës.
Bajram Kelmendi, i cili me të drejtë është cilësuar edhe si “Avokati i Kosovës”, që nga fëmijëria e tij e hershme ishte ballafaquar drejtpërsëdrejti me regjimin antishqiptar të Jugosllavisë së atëhershme, por, angazhimi i tij do të vije në shprehje pas përfundimit të studimeve dhe punës së tij si avokat. Gjatë kësaj kohe, sidomos në vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta, ishte i angazhuar si avokat pothuaj në të gjitha proceset gjyqësore politike të cilat regjimi fashist i Serbisë i zhvillonte kundër shqiptarëve në Kosovë, në të cilat u shqua për profesionalizëm të lartë dhe guxim të pashoq, duke iu kundërvënë regjimit pushtues serb dhe duke i zhveshur lakuriq të gjitha aktakuzat politike të cilat përgatiteshin në “kuzhinat” e atij regjimi kundër djemve dhe vajzave shqiptare.
Ishte bashkëthemelues dhe një kohë Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (KMDLNJ); ishte ndër nismëtarët e Lëvizjes gjithëpopullore për pajtimin e gjaqeve. Ishte i pari shqiptar që e denoncoi me shkrim dhe hapur për krime lufte Sllobodan Millosheviçin në organet gjyqësore të atëhershme, për të punuar ditë e natë në ushtrimin e denoncimeve dhe kompletimin e materialit argumentues kundër tij në Tribunalin e Hagës, të cilin e vizitoi personalisht tri herë dhe i dorëzoi ato materiale të cilat dëshmonin qartë krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga regjimi i Millosheviçit.
Bashkë me akademik Gazmend Zajmin kishte iniciuar procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për dhënien e pëlqimit (të dhunshëm) për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, me të cilat ndryshime Kosovës iu hoq autonomia, të cilën e kishte fituar me Kushtetutën e vitit 1974, e që ishte hapi i parë drejt realizimit të qëllimeve antishqiptare të regjimit serb, të cilat përfshinin, përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet e Kosovës, nga puna e nga shkollat, bile edhe nga institucionet shëndetësore, për të vazhduar me ndërprerjen e punës së televizionit të Prishtinës, radios dhe gazetës Rilindja, veprime këto të cilat si qëllim final kishin nënshtrimin e shqiptarëve, por edhe largimin e tyre nga Kosova.
Bajram Kelmendi, ishte i angazhuar edhe në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës në vitet e nëntëdhjeta, ai përveç tjerash ishte edhe anëtarë i Grupit Negociator i njohur me shkurtesën “G-15”, për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës, grup i cili ishte formuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Bajram Kelmendi, bashkë dhe me Zonjën e tij Nekiben, do të vazhdojnë bashkë angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, deri në natën e 24 marsit, natën kur forcat e regjimit fashist dhe kriminal të Serbisë, të urdhëruara dhe të dirigjuara drejtpërdrejt nga kreu i këtij regjimi, të shtyrë nga ndenja e “hakmarrjes” së këtij regjimi për kundërshtimin e vazhdueshëm veprues të Bajramit, gjithnjë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, do të futen në shtëpinë e tij në Prishtinë, do t’i torturojnë fillimisht brenda ambientit familjar dhe pastaj do t’i marrin me vete, Bajramin dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, të cilët pastaj u gjetën të vrarë, dhe siç mund të vërehej nga vetë trupat e tyre, ata edhe ishin masakruar.
Regjimi kriminal i Millosheviçit, nëpërmjet skuadrave të tij vrasëse, duke vrarë dhe masakruar tre meshkujt e familjes Kelmendi, kishte shfryrë gjithë mllefin dhe urrejtjen që kishte ndaj kësaj familjeje, sidomos ndaj kryefamiljarit, Avokatit të shquar Bajram Kelmendi.
Vrasja e Bajram Kelmendit dhe të bijve Kastriotit dhe Kushtrimit, mbetet vrasja gati e vetme politike e kryer gjatë luftës, që edhe pse dihet saktësisht adresa e projektuesve dhe urdhërdhënësve, që ishin strukturat më të larta udhëheqëse të regjimit serb në Beograd, ende vazhdon të mbetet e pandriçuar dhe si rrjedhojë kryesit e saj të pandëshkuar.
Prandaj, institucionet tona sot duhet të kërkojnë me ngulm që kjo vrasje e trefishtë të ndriçohet dhe urdhërdhënësit bashkë me ekzekutuesit të ndëshkohen, aq më tepër kur dihet mirë se udhëheqësit e sotëm të Serbisë, në kohën kur ishte vrarë dhe masakruar Bajrami Kelmendi me djemtë e tij, ishin ndër eksponentët kryesor të atij regjimi, përkrah dyshes famëkeqe udhëheqëse Millosheviç-Sheshel.
Përveç kësaj, është mirë që shteti i Kosovës, institucionet përkatëse, të shohin njëherë se çfarë kanë bërë për këtë familje, për pasardhësit e Bajramit Kelmendit; të shohin se pse anëtarët e kësaj familjeje nuk janë pjesë e skemave nga të cilat me të drejtë përfitojnë familjet e dëshmorëve dhe martirëve, duke i lënë pa asnjë lloj mbështetjeje institucionale e financiare.
Kujtim i përjetshëm me lavdi për jetën dhe veprën e Bajram Kelmendit, të flijuar me të bijtë Kastriotin e Kushtrimin.
Kujtim i përjetshëm me lavdi për jetën dhe veprën e Zonjës e madhe Nekibe Kelmendi.