“Për çdo mbyllje ekonomike duhet të ketë alternativë tjetër për ndihmë”

“Për çdo mbyllje ekonomike duhet të ketë alternativë tjetër për ndihmë”

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, deklaroi të mërkurën se kur institucionet e vendit marrin masa për parandalimin e COVID-19 duke mbyllur vendin, “duhet të ketë alternativë tjetër për të ndihmuar bizneset”.

Aktualisht në Kosovë janë në fuqi disa masa anti-COVID’19, të cilat po ua kufizojnë veprimtarinë bizneseve, të cilat Sogojeva thotë se i kanë pranuar pasi shifrat e të vdekurve dhe të infektuarve “janë alarmante”.

Megjithatë, shton se në rast të një tjetër “mbylljeje ekonomike”, shumë biznese do të gjendeshin para kolapsit.

Ndaj, sipas tij, për çdo mbyllje duhet të ketë ndihmë nga institucionet. Në të kundërtën, ka paralajmëruar se mijëra punëtorë do t’i bëhen barrë qeverisë.

“Nëse edhe një herë kemi masa drastike e s’intervenohet jemi para kolapsit. Kompanitë do të jenë para kolapsit. Paramendojeni 17-18 mijë po të mos munden të ripërtërihen 5-6 mijë. Ku janë tjerët, tatimet, e të tjera… ndikimi në ekonomi. Ata njerëz do t’i mbështeten shtetit për t’i ndihmuar. Do të bëhen barrë e shtetit”, thotë Sogojeva në emisionin “Sot” në KTV.

Ai bën të ditur se ka kërkuar një takim zyrtar me ministrin e Financave, Hekuran Murati, për të marrë mbështetjen e tij për masa të reja, duke përmendur shtyrjen e kthimit të kredive nga bizneset./Insajderi.com