Shukri Buja, ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.
Buja për Insajderi ka konfirmuar se ai është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit, dhe se do të paraqitet para Prokurorit të Prokurorisë Speciale me 17 korrik.
Edhe në vitin 2016, Buja në një intervistë kishte theksuar se mund të jetë i akuzuar nga Specialja.
“Ngase edhe unë kam qenë pjesë e luftës mund të jem në mesin e të akuzuarve”, kishte theksuar Buja.
Në nëntor të vitit 2018, ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë në akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.
Emri i Shukri Bujës lakohet edhe në rastin e njohur si “veteranët e rrejshëm”. Nga 12 të akuzuarit të parët që do të përgjigjen para drejtësisë janë pjesëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, në mesin e tyre edhe ish-komandanti i UÇK-së në Nerodime.
Në dështimin e seancës së fundit të kësaj seance, Buja e kishte cilësuar këtë rast si një proces shumë politikë, se sa diçka e vërtetë.
“Asnjë institucion nuk e ka shpall dikë veteran të rrejshëm. Është diçka banale të thuhet që janë veteran të rrejshëm”, kishte thënë ai.
Shtatë muaj më parë, Shukri Buja nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishte shpallur fajtor në akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.
Buja akuzohej nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga komuna e Lipjanit me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”.
Më 28 prill Buja u deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.
Teksa në vitin 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte dënuar Bujën me gjobë prej 2000 eurove dhe dënim me 4 muaj burgim me kusht për veprën penale “mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë”.
Emri i Bujës figuron edhe në listën e të kërkuarve nga Interpoli, për vepra të ndryshme penale, me kërkesë të Serbisë.
Ish-komandanti i UÇK-së përmendet edhe në dosjen e Ramadan Malokut për rastin për dëbimin e serbëve gjatë luftës në Kosovë.
InDoks kishte realizuar një dokumentar me titull “Dëbimi Special për në Beograd”.
Shukri Buja ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, pas dorëheqjes së Azem Sylës, i cili po ballafaqohej me drejtësinë.
Deri në vitin 2017, Shukri Buja ishte pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka qenë anëtar për një kohë të gjatë i Partisë Demokratike, përderisa viteve të fundit ishte pjesë e strukturave udhëheqëse. Sa ishte pjesë e PDK-së për disa mandate ishte në krye të Komunës së Lipjanit.
Me 17 gusht të 2017-së, Shukri Buja i bashkohet partisë së Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate./Insajderi.com