Flamuri i Kosovës ende nuk është vendosur te rrethi në Prishtinë, ani pse ishte paralajmëruar një ditë më parë. Nga Protokolli i shtetit thonë për Express se janë dy opsione dhe vendosja e flamurit do të ndodhë sot ose nesër.
Departamenti i Protokollit të Shtetit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme kishte paralajmëruar që sot do të vendoset te rrethi në Prishtinë flamuri i Kosovës, pas shumë reagimeve që ishin ngritur për këtë temë.
Por, siç duket kjo nuk do të ndodhë edhe sot, ani pse Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli ka marrë vendimin.
Drejtori i këtij departamenti, Orhan Hajziri tha për Express se ekzistojnë dy opsione, ndërsa, ende nuk është vendosur se cili nga ta do të implementohet.
“Janë dy opsione, opsioni i parë është vendosja e të dy flamujve në të njëjtin vend dhe opsioni tjetër, te rrethi tjetër, me gjasë më të madhe të ndodhë, te banesat e arabve atje që lidhet magjistralja”, deklaroi ai.
Ndërsa, Hajziri tregon se flamuri kombëtar nuk do të hiqet nga vendi ku ndodhet tash e sa vite.
“Flamuri kombëtar nuk do të hiqet nga rrethi ku është por do të vendoset në rrethin tjetër edhe një flamur i shtetit të Kosovës, shumë shpejt”, shton ai.
Sipas tij, kjo do të ndodhë sot ose nesër, pasi që ashtu ka vendosur Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Në këtë mënyrë në hyrje të Prishtinës do të valviten të dy flamujt.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për Express se tashmë kanë parë të gjitha paralajmërimet në rrjete sociale për të mbrojtur flamurin kombëtar te rrethi nëse diçka e tillë ndodhë, por, thonë që deri tash nuk ka pasur në atë vend asgjë të pazakontë.
Dje, përmes rrjeteve sociale ishte krijuar edhe një grup ku deklarohej se heqja e flamurit kombëtar do të mbrohej edhe me jetë, nëse është e nevojshme.