Për gjashtë muaj, Osmani shpenzoi 75 mijë euro për udhëtime, karburante dhe dreka e darka zyrtare

Për gjashtë muaj, Osmani shpenzoi 75 mijë euro për udhëtime, karburante dhe dreka e darka zyrtare

Presidenca ka shpenzuar mbi 86 mijë euro nga buxheti i shtetit për periudhën janar– qershor të këtij viti.

Sipas të dhënave të publikuara nga presidenca, presidentja Vjosa Osmani dhe kabineti i saj që në total janë 19 persona, kanë shpenzuar 75 mijë e 226 euro gjatë kësaj periudhe.

Kabineti i presidencës, më së shumti para kanë shpenzuar për bileta të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, 48 mijë e 968 euro.
Për akomodim gjatë udhëtimeve kanë shpenzuar 12 mijë e 658 euro, ndërsa 9 mijë euro për karburante.

Në dreka dhe darka zyrtare, presidentja Osmani dhe kabineti i saj kanë shpenzuar 3 mijë e 455 euro. Ndërkaq, një koktej protokollar me rastin e javës së gruas i ka kushtuar Presidencës 1 mijë euro.

Administrata, ish-presidentët dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete në kuadër të Presidencës, kanë shpenzuar afro 11 mijë euro prej janarit deri në qershor.

Këta, më së shumti kanë shpenzuar për karburante gjithsej 7 mijë e 578 euro.

Për dreka dhe darka zyrtare, ata shpenzuan 2 mijë e 977 euro, ndërsa 371 euro u kanë kushtuar biletat e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit./Insajderi.com