Kryeministri i vendit, ka injoruar vendimin e Komiteti për të drejtat civile, drejtësi dhe çështje të brendshme në Parlamentin Evropian që ka votuar kundër fillimit të negociatave me Këshillin e BE-së për vendimin formal për liberalizim të vizave për kosovarët, dhe ka vendosur të flasë për futboll, përkatësisht për ndeshjen mes Kosovës dhe Finlandës.
Sipas kryeministrit, e rëndësishme është fitorja e Kosovës, në ndeshjen e parë zyrtare për kualifikimet e Botërorit “Rusi 2018”, ndërsa liberalizimi i vizave është një sfidë.
“Thyerja e izolimit në sport na mori kohë, por edhe kjo, si çdo sfidë e integrimit të vendit u kalua. Do t’i kalojmë edhe sfidat tjera duke përfshirë udhëtimin e lirë. Tani është koha që të tregojmë talentin dhe kulturën tonë sportive. Shumë urime djema! Suksese edhe Kombëtares në ndeshjen e sotme”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
Para fillimit të ndeshjes mes Kosovës dhe Finlandës në futboll, Komiteti i Parlamentit Evropian mori vendim që të mos e kalojë tutje procesin për liberalizimin e vizave duke vendosur si kusht votimin e demarkacionit për Kosovën.
Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, pas votimit në komitetin LIBE, tha se ka marrë mbështetjen për raportin dhe rekomandimet e saj për lëvizjen e lirë për Kosovën, por “nuk ka marrë një mandat për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së për çështjen e vizave për Kosovën”.
Kryeministri nuk ka përmendur fare këtë cështje.
Ka vazhduar të flas vetëm për futboll.
“Sonte Kosova e fillon përfaqësimin në garat kualifikuese ndërkombëtare, duke shënuar pavarësinë e futbollit dhe duke realizuar ëndrrën e shumë brezave. Më pëlqeu edhe emri i tifozëve, “Dardanët”. Ky emër më solli në mendje Presidentin Rugova që punoi me durim në mënyrë që të rinjtë të kenë mundësi për suksese në çdo fushë të jetës”, ka shkruar Mustafa./Insajderi.com