Për Malin e Zi demarkacioni me Kosovën është punë e kryer

Për Malin e Zi demarkacioni me Kosovën është punë e kryer

Kryetari i Komisionit malazez për shënimin e kufirit, Milan Paunoviq, në një prononcim për TVCG, ka thënë se situata në lidhje me kufirin Kosovë-Mali i Zi do të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet dy palëve.

Duke komentuar shkarkimin e Murat Mehës dhe Komisionit që ka arritur marrëveshjen, zyrtari malazez ka thënë se Podgorica nuk është njoftuar zyrtarisht për asgjë. Por, është njoftuar vetëm përmes raportimeve të medieve në Kosovë.

“Pavarësisht raportimit të medieve në Kosovë për shkarkimin e komisionit për caktimit e kufirit me Malin e Zi, marrëveshja e demarkacionit mes dy vendeve është ajo që është arritur para dy viteve”, ka thënë ai.

“Paralajmërimet e medieve se Kryeministri i Kosovës ka paralajmëruar formimin e komisionit të ri nuk duhet të komentohet, sepse Mali i Zi nuk është njoftuar zyrtarisht”, ka thënë Paunoviq për televizionin publik të Malit të Zi.

Ai ka theksuar se është i bindur që në Kosovë do të gjendet një marrëveshje politike për ratifikimin e marrëveshjes, pasi bëhet fjalë për çështje të brendshme të Kosovës.