Për një vit, skemave të asistencës sociale iu shtuan edhe 2.500 familje

Për një vit, skemave të asistencës sociale iu shtuan edhe 2.500 familje

Rreth 25 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë të varura nga asistenca sociale.

Shuma e mjeteve që këto familje marrin nga Qeveria e Kosovës, është prej 50 deri në 150 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Në mesin e tyre është edhe familja prej pesë anëtarësh Gashi nga Prishtina. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Miradija, nënë e tre fëmijëve, ka treguar se në muaj merr nga 87 euro si asistencë sociale dhe se kjo shumë, sipas saj, nuk i mjafton as për t’i përmbushur nevojat elementare të familjes.

“Janë të pamjaftueshme, fillimisht me atë pagesë i paguaj faturat e energjisë dhe mundohem që tjerat t’i kursej për bukë, tjetër gjë nuk mund të blej. Djali i madh, më kërkon veshmbathje, të vegjlit kërkojnë para kur nisën në shkollë, po nuk më mbesin para”, ka thënë Miradija.

Se asistenca sociale është e pamjaftueshme për këto familje me gjendje të rëndë ekonomike, është theksuar në vazhdimësi edhe nga ekspertët e çështjeve ekonomike dhe vetë zyrtarët e institucioneve të Kosovës.

Varfëria vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha, me të cilat përballen qytetarët në Kosovë. Me gjithë rritjen ekonomike prej rreth katër për qind, Kosova vazhdon të mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë.

Mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të varfër

Sipas të dhënave të Bankës Botërore të vitit 2017, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Gani Smakaj, zyrtar i lartë i kontrollit dhe mbikëqyrjes në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2019 për rreth 25 mijë familje me asistencë sociale nga buxheti i shtetit janë shpenzuar rreth 32 milionë euro.

“Gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2019, janë aprovuar 2.437 familje të reja në skemën e ndihmës sociale, të cilat i kanë përmbushur kriteret për ndihme sociale, bazuar në legjislacionin e skemës së ndihmës sociale, ndërsa 3.271, familje janë të larguara nga ndihma sociale gjatë vitit 2019, pasi nuk i kanë i përmbushur kriteret e caktuara”, thotë Smakaj.