fbpx

Për orën e Lahi Brahimajt, villen e Elmi Reçicës dhe komedinë “Agjencia Kundër Korrupsion”

Agjencia Kundër Korrupsion është shndërruar në një institucion me të cilin qeshin si në kor të gjithë zyrtarët e korruptuar. Por, a kanë mbetur sadopak gjasa që të ndërpritet qeshja tallëse e zyrtarëve të krimbur në korrupsion ?

Për orën e Lahi Brahimajt, villen e Elmi Reçicës dhe komedinë  “Agjencia Kundër Korrupsion”

Është shndërruar në rit një veprim komik i Agjencisë Kundër Korrupsion. Dikur e bënte Hasan Preteni e tash drejtori i ri, Shaip Havolli. Ngjarja komike zhvillohet në këta dy hapa.

Hapi i parë përfshin publikimin e formularëve të deklarimit të pasurisë të zyrtarëve të lartë, të cilët kanë shprehur vullnetin ta bëjnë një gjë të tillë. Atyre që nuk pranojnë ta deklarojnë pasurinë, nuk u ndodh ndonjë dëm i madh. Më e keqja që mund tu ndodh është një  dënim qesharak prej 200 eurosh,  aq sa zyrtarët shpenzojnë në një darkë modeste me numër jo aq të madh miqsh.

Hapi i dytë është më argëtues. Ai ndërmerret pas publikimit të pasurisë së deklaruar.Zyrtarët e Agjencisë, me urdhër të drejtorit, e dërgojnë një kumtesë për media të cilën e publikojnë edhe në sajtin e institucionit. Kumtesa titullohet “Tërhiqet shorti për zyrtarët që i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë së deklaruar”.

Kur e sheh këtë titull të krijohet një përshtypje se në ditën e shortit asnjë prej zyrtarëve të lartë nuk kanë dalë në zyre, derisa janë informuar se nuk gjenden në listë. Janë strukur në shtëpi, duke pritur nën ethe lajmin nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Kur e sheh këtë titull, imagjinon zyrtarë të lartë të zbehur në fytyrë dhe duke i ngrënë thonjtë e tyre nga stresi që krijon dita e zezë, ajo e hedhjes së shortit. Të krijohet bindja se ata që janë më të korruptuarit do të mendojnë skenarin më të keq në të cilën kanë dy zgjidhje para vetës: vetëvrasjen apo ikjen drejtë ndonjë vendi të Amerikës Latine, në rast se emri i tyre shfaqet në faqen e Agjencionit Kundër Korrupsion.

Të duket se ky skenar do të hedhet poshtë tek kah mesi i ditës kur Agjencia publikon emrat e zyrtarëve, të cilëve do t’iu verifikohet pasuria e deklaruar. Të korruptuarit tek atëherë do të informohen se kanë  shpëtuar nga “gijotina” e AKK-së dhe do të nisin të shëtisin qetazi nëpër sheshin e Prishtinës.

Në fakt, këto veprime që të përfytyrohen teksa sheh lajmërimin e AKK-së se do të hedhet shorti është dashur të jenë reale dhe do të duhej të ndodhnin. Nëse Agjencia Kundër Korrupsion do të ishte një institucion serioz, atëherë do të ndillte frikë tek zyrtarët e lartë të korruptuar.

Por, të gjithë politikanët kanë shpenzuar energji që ky institucion të mos merret seriozisht nga zyrtarët e korruptuar. Për dhjetë vjet të funksionimit të tij, askujt nuk i është konfiskuar pasuria si rezultat i hetimeve të Agjencisë Kundër Korrupsion, askush nuk është duke vuajtur burgun e po ashtu asnjë i korruptuar deri më tash nuk ankohet se ky institucion e ka dëmtuar financiarisht. Qeshin të gjithë në kor me Agjencinë, sepse ju pëlqen si institucion i tillë.

Arsye për të qeshur kanë të gjithë. Ndoshta në këto momente me Agjencinë Kundër Korrupsion është duke qeshur Lahi Brahimaj dhe Elmi Reçica.

Në deklarimin e fundit të publikuar para një muaji, njëjtë siç ka bërë edhe më 2016, Brahimaj ka shënuar se e posedon një orë dorë në vlerë prej 5 mijë eurosh. Ka shënuar se e ka dhuratë nga familja dhe e ka përfituar në vitin 2006.

Që prej deklarimit të kësaj ore të shtrenjtë askush nuk është marrë seriozisht me ish-deputetin Brahimaj. Nuk i kanë trokitur në derë për ta verifikuar se a është e vërtetë që e ka dhuratë nga familja apo e ka përfituar nga ndonjë aktivitet biznesi jo legal.

Ndoshta zyrtarët shtetëror thjeshtë e kanë vlerësuar Brahimajn si njeri që është merakli i orëve të shtrenjta.

Ndoshta dikujt i duket gjë e vogël që të hetohet një ish-deputet për orën e tij. Por, gjë e vogël nuk i është dukur prokurorëve në Kroaci.

Dinko Cvitan, atëkohë prokuror i përgjithshëm në Kroaci, u kishte treguar në mars të vitit 2015 prokurorëve në Shqipëri se si kishin nisur hetimet për ish-kryeministrin Ivo Sanader.

Orët e shtrenjta prej dhjetëra mijëra eurove që barte Sanader kishin nxitur dyshimet tek prokurorët kroat. Më pas, prokurorët kishin zbuluar se Sanader ishte i korruptuar.

Ai në prill të këtij viti është dënuar me katër vjet e gjysmë burg nga gjykata e shkallës së parë në Zagreb. Sanader është shpallur fajtor për marrjen e një ryshfeti prej dy milionë eurosh, gjatë blerjes nga Qeveria të një ndërtese me çmim dy herë më të lartë se sa vlera e tregut.

Duke treguar për ecurinë e hetimeve kundër Sanader, prokurori Cvitan mburrej para prokurorëve të Shqipërisë për suksesin e treguar nga prokurorët kroat.

Material për tu mburrur sikurse  Cvitan është lehtë për të siguruar. Vetëm duhet vullnet dhe guxim për ta luftuar korrupsionin. Raportet e auditorëve dhe deklarimet e pasurisë janë materiale të bollshme për të pasur histori suksesi në luftimin e korrupsionit.

Për të mos u dukur qesharak institucioni i Agjencisë Kundër Korrupsion, i duhet ndihma e një institucioni tjetër. Ajo e Prokurorisë së Shtetit, ku Agjencia i dorëzon kallëzimet penale. Zakonisht, pas dorëzimit ato i hedhen poshtë nga prokurorët.

Por, a e ka guximin kryeprokurori Aleksandër Lumezi për tu mburrur ngjashëm sikurse homologu i tij i dikurshëm Dinko Cvitan, të cilin e kishte takuar në shtator të vitit 2015?

Lumezi nuk duket i paguximshëm. Vetëm i duhet që guximin për  tu shfaqur buzagaz në prani të Elmi Reçicës, në mes të Prishtinës, siç bëri në qershor të vitit të kaluar, ta shfrytëzojë për gjëra tjera. Ta shfrytëzojë për ta luftuar korrupsionin, për ta mos e lërë Agjencinë Kundër Korrupsion të shndërrohet në një institucion edhe më qesharak, dhe për ta verifikuar pasurinë e Elmi Reçicës.

Ish-deputeti Reçica në deklarimin e pasurisë ka shënuar se posedon një villë prej 257 metrash katrorë, të cilën e ka përfituar në vitin 2016. Por, e ka mbajtur sekret vlerën e saj. Tek pjesa e deklarimit të vlerës ka shënuar numrin zero. E për ta zbuluar vlerën e saktë të kësaj ville Agjencioni Kundër Korrupsion duhet të shndërrohet në një institucion serioz. E në të tillë mund ta shndërrojë kryeprokurori Aleksander Lumezi, nëse vendos të mos shfaqet buzagaz rrugëve të Prishtinës me anëtarin e SHIK-ut, Elmi Reçicën.