Për Pacollin Asociacioni nuk është tema kryesore me Serbinë, por diçka tjetër

Për Pacollin Asociacioni nuk është tema kryesore me Serbinë, por diçka tjetër

Për Behgjet Pacollin, formimi i Asociacionit të Komunave Serbe nuk është vendimi më i rëndësishëm për Kosovën. Sipas ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli shumë marrëveshje tjera të nënshkruara në mes Kosovës dhe Serbisë,  janë më të rëndësishme se ajo e Asociacionit.

Për Insajderin, ai ka thënë se marrëveshja e energjisë është më e rëndësishme për t’u implementuar se Asociacioni.

“Marrëveshja e energjisë është njëra ndër marrëveshjet më të rëndësishme. Marrëveshja për lëvizjen e mallrave, marrëveshja për interkoneksionin, marrëveshje të cilat e kanë lënë të izoluar vendin tonë. Sidomos ligji për energjetikën është më i rëndësishëm se Asociacioni”, ka thënë Pacolli.

Ai nuk beson që Lista serbe do e themelojë Asociacionin, sikur që kanë deklaruar se do e bëjnë njëanshëm.

Shkak për këtë sipas tij është që kjo marrëveshje do të themelohet nga shteti i Kosovës.

“Ata nuk munden njëanshëm ta formojnë Asociacionin. Nuk besoj që ata do të kushtojnë. E kemi parë që kushtëzimet nuk janë zgjidhje. S’do të ketë tentim të njëanshëm nga ana e tyre për ta formuar këtë marrëveshje. Sepse Kosova e ka nënshkruar atë dhe ne duhet ta formojmë, e ripërsëris sipas Kushtetutës së Kosovës.

Për Pacollin është interesante që kjo temë është diskutuar që nga koha kur është formuar grupi punues për bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është interesant që Asociacioni ka filluar që të diskutohet që nga momenti kur është formuar grupi teknik në bisedimet Kosovë-Serbi. Asociacioni sikurse marrëveshjet tjera duhet të implementohet. Asociciacioni njësoj si marrëveshjet tjera duhet të implementohen. normal sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Pacolli.