Perceptimi që i kushtoi vendit me humbjen e mbi 300 milionë eurove

Perceptimi që i kushtoi vendit me humbjen e mbi 300 milionë eurove

Kryeministri kishte shfrytëzuar shifrat milionëshe për të kthjellur vëmendjen e qytetarëve të Kosovës nga tymi i gazit lotsjellës në Kuvend që kishte bllokuar shtetin, kur kishte lajmëruar se Kosova do të përfitonte 200 deri 400 milionë dollarë amerikanë nga fondet e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Por kur më vonë organizata amerikane “Gallup” kishte vendosur Kosovën gati në krye të listës së vendeve më të korruptuara për vitin 2015, kryeministri kishte vendosur të flas për korrupsionin si perceptim  duke e distancuar këtë perceptim si të ndryshëm nga realiteti sa i përket korrupsionit në Kosovë.

Ai e kishte argumentuar këtë duke treguar një bisedë  që e ka pasur me një përfaqësues ndërkombëtar, i cili sipas kryeministrit i ka treguar për realitetin e korrupsionit në Kosovë.

Por perceptimi i qytetarëve kosovar se shkalla e korrupsionit në Kosovë është jashtëzakonisht e lartë,  që sipas kryeministrit nuk është realitet, ia ka humbur Kosovës mbi 300 milionë euro, nga Fondi MCC që si qëllim ka zhvillimin ekonomik të vendit përmes investimeve në fushën e mjedisit, energjisë dhe sundimit të ligjit.

E kjo ka bërë që zyrtari i lartë i PDK-së, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme që drejtohej nga Hashim Thaçi para se të bëhej kryeministër, Petrit Selimi, të flas hapur se një nga faktorët kryesor se pse Kosova nuk i ka marrë fondet prej 400 deri në 500 milionë eurove, është pikërisht perceptimi për shkallën e lartë të korrupsionit sipas raportit të organizatës “Gallup”.

Selimi ka treguar se fakti që Kosova në raportin e vitit 2015 nga “Gallup” është vend me një shkallë të lartë të korrupsionit, ka ndikuar që Kosova ka ra për një kategori më poshtë, nga ai “Compact” në “Threshold”.

Kësisoj Kosova nga MCC-ja do të marrë vetëm 45 milionë dollarë amerikanë, e jo 500 milionë sa mund të pretendonim në nivelin “Compact”.

Kontrolli i korrupsionit sipas Selimit, që foli në emisionin “Ekonomia me Erëzen” ka qenë një nga indikatorët kryesorë nga  9 sa janë kërkuar nga MCC.

“Kontrolli i korrupsionit është një indikator që merr parasysh të dhënat e vitit të kaluar, pra 2015-ës, dhe sipas këtyre të dhënave ne nuk e kaluam kontrollin e korrupsionit”, tha Selimi, duke u lëshuar edhe në komente të tjera, që lidhen direkt me luftën kundër korrupsionit nga ana e Qeverisë së Kosovë që drejtohet nga Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, partnerit të PDK-së në pushtet.

“Ndikim të madh sondazhi  në këtë ka pasur raporti i Gallupit për perceptimin e korrupsionit. Edhe ky sondazh sivjet realisht ka treguar vlera më të ulëta, dhe të jem i sinqertë, nëse shikojmë të dhënat e këtyre indikatorëve, fatkeqësisht Kosova nuk qëndron mirë”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, marrëveshja fillestare ka qenë për “Compact”, por kjo nuk do të thotë që Kosova ka humbur këto mjete.

“ Pasi që asnjëherë nuk i kemi pasur në dorë ato”, u arsyetua Selimi.

Në raportet e fundit të Transparency International Kosova është radhitur në mesin e vendeve me shkallën më të lartë të korrupsionit./Insajderi.com

Kryeministri flet për korrupsionin si perceptim dhe realitet