Përfaqësues të partive vizitojnë BIK-un për Kurban Bajram

Përfaqësues të partive vizitojnë BIK-un për Kurban Bajram

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me kandidatin e partisë për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, kanë vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit, njofton Insajderi.

Krasniqi tha se ndjehet i lumtur që pas një kohe jo të lehtë e gjendje pandemie, sot të gjithë kanë mundësi që së bashku të takohen e ta urojnë njëri-tjetrin.

“Më vjen mirë që këtë herë kemi pasur mundësinë të jemi këtu në selinë e Bashkësisë Islame, për shkak se pandemia na ka cenuar edhe të jemi bashkë gjatë Festës”, ka thënë ai.

Në vizitë te BIK ishte edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se përkundër situatës me COVID-19, duhet mbetur afër nevojtarëve.

“Sot  bashkë me bashkëpunëtorë ishim për të uruar këtë festë e cila na mëson për solidaritet, bashkëpunim dhe për te kujtuar ata që kanë humbur jetën gjatë pandemisë, Urime”, tha Abdixhiku.

Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri së bashku me deputetët Pal Lekaj e Besnik Tahiri kanë vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Nënkryetari Isufi tha se me rastin e kësaj vizite urojnë që të ecin përpara në të gjitha proceset që e presin vendin.

“Erdhëm për ta uruar Myftiun Ternava dhe të gjithë besimtarët myslimanë. Urojmë që të ecim përpara në të gjitha proceset që na presin”, është shprehur Isufi. /Insajderi.com