Përfaqësuesi i BE-së për Kosovën: Dua që kosovarët të udhëtojnë sa më shpejtë pa viza, inkruajuese që rifilloi dialogu

Përfaqësuesi i BE-së për Kosovën: Dua që kosovarët të udhëtojnë sa më shpejtë pa viza, inkruajuese që rifilloi dialogu

Shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka marrë detyrën këtë javë. Përmes një shkrimi autorial, ai ka ndarë përshtypjet e para pas ardhjes në Kosovë. Szunyog shkruan se BE-ja është investitori, donatori dhe partneri më i mirë tregtar i Kosovës.

“Ne kemi krijuar mijëra vende pune, kemi mbështetur qindra kompani dhe kemi ndërtuar shumë shkolla. Falë fondeve të BE-së, Prishtina sot ka furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm dhe dhjetëra mijëra qytetarë gëzojnë ngrohje qendrore të klasës së parë”, shkruan ai duke thënë se gjatë 20 vjetëve të fundit, BE-ja ka investuar mbi 2.5 miliardë euro në çdo segment të shoqërisë kosovare.

Ambasadori i ri i BE-së në Kosovë, thotë se dëshiron që qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. “Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë thënë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kanë rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. Vendimi përfundimtar tani duhet të merret nga Shtetet Anëtare të BE-së”, vazhdoi ai.

Szunyog shton se “inkurajon fakti që dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është rihapur dhe që BE-ja ka emëruar Miroslav Lajçak-un si Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun. Sa më shpejt që të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve, aq më parë Kosova do të jetë në gjendje të ecë përpara”.

Shkrimi i plotë i ambasadorit të ri të BE-së në Kosovë – Tomas Szunyog

Jam mirënjohës për mundësinë për të shërbyer në Kosovë dhe do të bëj çmos për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj evropiane

Më ka rënë të trajtoj çështje që kanë të bëjnë me Kosovën që nga viti 1998 dhe kam vizituar Prishtinën disa herë në cilësinë e zyrtarit shtetëror si përfaqësues i vendit tim. Kam mësuar se njerëzit në Kosovë janë shumë të hapur, mikpritës dhe punëtorë.

Kam mbërritur në Kosovë në kohërat sfiduese të COVID-19, kur shumë njerëz në botë po përjetojnë vështirësi nga aspekti mendor, fizik dhe ekonomik. Qytetarët e Kosovës nuk përbëjnë përjashtim. Ndiej dhembshuri për të gjithë ata që po vuajnë dhe për të afërmit e tyre. Për të korrë sukses në luftën kundër pandemisë është thelbësore që të jemi përgjegjeshëm, të mbrojmë njëri-tjetrin dhe të ndjekim rekomandimet e autoriteteve.

BE-ja tashmë i ka dhënë Kosovës 168 milionë euro për të adresuar aspektet shëndetësore dhe shoqërore-ekonomike të pandemisë së COVID-19. Pararendësja ime, Ambasadorja Apostolova, ka bërë një punë të shkëlqyer në këtë drejtim. Dua t’ju siguroj që kjo çështje do të mbetet prioriteti im kryesor.

Krahas asistencës në lidhje me COVID-19, unë do të vazhdoj të promovoj prioritetet tashmë të vendosura dhe afatgjata të BE-së: arsim më të mirë për të gjithë, më shumë siguri juridike, mbështetje për rritjen ekonomike dhe klimë të përmirësuar për investime. Është thelbësore që qytetarët të kenë besim tek institucionet dhe të dinë që përparimi i tyre në jetë është rezultat i punës dhe i meritave të tyre. Unë do të vazhdoj të bëj thirrje për luftë efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Forcimi dhe përmirësimi i procesit zgjedhor gjithashtu duhet të merret si prioritet.

Kosova gjithashtu duhet t’i përqendrojë më shumë përpjekjet e saj për çështjet mjedisore. BE-ja po investon 76 milionë euro për të ulur ndotjen dhe rreziqet ndaj shëndetit nga Termocentrali Kosova B. Rimëkëmbja e gjelbër paraqet një mundësi për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës. /Insajderi.com