Avokati Besnik Berisha, përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ka insistuar se vota e deputetit nga komuniteti joshumicë, Etem Arifi, i cili është i dënuar me burg, është e ligjshme, njofton Insajderi.
Sipas tij, kërkesa që të shkohet në zgjedhje në rast se Gjykata Kushtetuese e shpall të pavlefshme votën e deputetit Etem Arif, nuk ka asnjë bazë kushtetuese.
“Kërkesa për të shkuar në zgjedhje nuk ka bazë kushtetuese. Ne besojmë që nuk mund të ketë shkuarje në zgjedhje me automatizëm edhe nëse kjo gjykatë do të vendoste ashtu”, tha ai në seancën e sotme dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese ku po diskutohet për ligjshmërinë e votës së deputetit Arifi.
Sipas tij, në rast se mandati i deputetit Etem Arifi nuk duhej llogaritej, i bie se përbërja në Kuvendin e Kosovës ka qenë 119 deputetë dhe shumicën e kanë bërë 60 prej tyre. /Insajderi.com