Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, ka kritikuar 10 gjyqtarë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke thënë se të njëjtit nuk e kanë ditur që neni 29, paragrafi 1, pika Q e Ligjit për Zgjedhje nuk është lex specialis në raport me nenin 100 të Kodit Penal.
Sipas Sallahut nevojitet vendosja e kritereve më të ashpra ligjore për pranim dhe disiplinim të gjyqtarëve.
“Dhjetë gjyqtarë të PZAP-së, të cilët vijnë nga Gjykata Themelore, e Apelit dhe Supreme, nuk kanë ditur që neni 29 par.1 pika q) e Ligjit për Zgjedhje nuk është lex specialis në raport me nenin 100 të Kodit Penal. Në këtë mënyrë kanë kufizuar të drejtën themelore kushtetuese për tu zgjedhur. Duhet patjetër që të vendosim kritere ligjore më të ashpra për pranim dhe disiplinim! Shihemi mbas 14 shkurtit!”, ka shkruar Sallahu në Facebook.
Sallahu ka reaguar pasi PZAP nuk ka certifikuar tre kandidatë nga lista e LVV-së, duke përfshirë edhe bartësin e saj, Albin Kurtin, për shkak të problemeve me ligjin.
Ky vendim I PZAP-së u konfirmua edhe nga Gjykata Supreme. /Insajderi.com