Përfitimi i dyshimtë i tenderit multimilionësh nga “Al Trade”

Kompania "Al Trade" një prej përfituesve më të mëdhenj të tenderëve në Kosovë po përballet me aktakuzë për manipulime në projektin e ndërtimit të autostradës Prishtine - Gjilan.

Përfitimi i dyshimtë i tenderit multimilionësh nga “Al Trade”

Janë bërë pesë ditë pas mbajtës së ceremonisë inauguruese e hapjes së punimeve në autoudhën “Prishtinë Gjilan – Dheu i Bardhë”, dhe ende vazhdojnë dyshimet për këtë projekt.

Muaj më parë tetë kompani konkurruese në këtë projekt, kishin shprehur pakënaqësi, pas vendimit të Gjykatës së Tenderëve, duke kërkuar pezullimin e tenderit milionësh në autoudhën “Prishtinë Gjilan – Dheu i Bardhë”, dhe kanë dërguar shkresa në Gjykatën Supreme, Prokurorinë e Shtetit, në EULEX dhe te Kryeministri i Kosovës. Pasi sipas tyre Ministria e Infrastrukturës dhe OSHP-ja kanë bërë shkelje ligjore.

Dyshimet mbi “Al Trade”

Gjykata e Tenderëve i kishte hapur rrugën Ministrisë së Infrastrukturës t’i nënshkruajë 8 kontratat për ndërtimin e Autostradës për Gjilan, dhe kishte hedhur poshtë ankesat e operatorëve ekonomike.

Paneli Shqyrtues i OSHP-së në përbërje: Blerim Dinën, Nuhi Paçarizin dhe Goran Milenkoviq në 16 raste është thirrur në sqarimet që ka dhënë eksperti shqyrtues për konstatimet që kishte bërë për pretendimet e operatorëve ekonomikë. Paneli shqyrtues i kishte kontraktuar kompanitë me gjashtë qërshor të këtij viti.

“Vërtetohet njoftimi për dhënie të kontratës për kompanitë: 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Ndërtimin e Autoudhës…'”

Për ndërtimin e kësaj autoudhe do jenë pjesëmarrëse gjithsejtë tetë kompani dhe në mesin e tyre është edhe kompania “Al trade shpk” e cila ka paraqitur marrëveshje për bashkëpunim me kompaninë “Mineral LLC”, dhe nuk e ka paraqitur e as publikuar fare kontratën.

Kompanitë operatore ankuese, si “Bejta Commerce” kanë paraqitur ankesat e tyre për kompaninë “Al Trade & Salillari”, për të cilën mendon se nuk duhet të shpallët fituese në autoudhën “Prishtinë, Gjilan – Dheu i Bardhë”.

Sipas tyre makineria e kompanisë “Al Trade & Salillari” nuk është e noterizuar sipas procedurës “En-Minutes”, siç është kërkuar në dosje të këtij tenderi.

Gjithashtu edhe bashkëpunimi i kompanisë “Al trade” me kompaninë “Mineral LLC”, për furnizim me zhavorr, beton dhe asfalt nuk është fare e nënshkruar nga “Al trade”.

Kompania fituese ka paraqitur një librezë me afat të skaduar, për kamion për të cilin nuk ka paraqitur marrëveshje kompania në fjalë.

Gjithashtu sipas operatorit ankues mungon lista e punëtorëve të përhershëm të kompanisë dhe të dhënat e tyre, ashtu siç është kërkuar nga FDT.

Në informacionet e biznesit të “Al Trade”, mungon veprimtaria për ndërtim të rrugëve apo të autostradave.

“Al trade”, po ashtu nuk i ka paraqitur fare dy kontrata bashkë me referenca pranimeve teknike në vlerë me 2.5 milion euro, ashtu siç është kërkuar nga kompania në FDT.

Al Trade mbështetet në vendimin e OSHP-së

Insajderi ka pyetur kompaninë “Al trade shpk”, për ankesën që i kanë bërë kompanitë tjera konkurruese, në lidhje me mosparaqitjen e kontratës së punës me kompaninë “Mineral LLC”, por ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje konkrete, por vetëm e kanë dërguar vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) i cili thotë se kompania kontraktuese “Mineral LLC” është pronë e kompanisë operatorit ekonomik “Al trade”.

“[….ndërsa lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit me “Mineral LLC”, e cila nuk është e nënshkruar nga “Al trade shpk”, paneli shqyrtues konstaton se kompania “Mineral LLC” bazuar ne certifikatat e biznesit të kësaj kompanie, kjo kompani është prone e OE “Al trade shpk”]”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje ka përsëritur vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ku tekstualisht thuhet se i ka shqyrtuar të gjitha ankesat e Operatorëve Ekonomik dhe ka dalë me përgjigje.

“Organi shqyrtues i prokurimit i ka shqyrtuar të gjitha ankesat e Operatorëve Ekonomik dhe ka dhëne përgjigje në vendimin e publikuar më datë 06 Shkurt 2018, vendimi me numër 475,481,484,488,489,492,493,495,497,498,499/2017”, thuhet në përgjigje.

Të pyetur nga Insajderi cila është vlera e kontratës, ata kanë thënë se vlera e kontratës mes kompanive është më shumë se 7 milion.

“Konsorciumi Al Trade SHPK dhe Salillari SHPK, kanë nënshkruar kontratë për ndërtimin e Lot 7, me vlerë prej 7,247,086.87 EUR”, thuhet në përgjigje. /Insajderi.com