Është përmbyllur në Kizhevak të Rashkës, Serbi, procesi i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
Nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se në bazë të ekzaminimit antropologjik është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë, prej të cilëve dy janë të identifikuar, përmes metodës së ADN-së, në fazën e parë të procesit të zhvarrimit, përcjell Insajderi.
Procesi i gërmimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore në këtë lokacion është realizuar në dy faza, nga 30.11.2020 – 09.12.2020 (faza I) dhe nga 05.05.2021 – 26.05.2021 (faza II).
“Nga data 5 maj, kur kanë rifilluar gërmimet në këtë lokacion, është bërë vlerësimi i plotë i tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe është bërë zhvarrosja e të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që kanë qenë në këtë lokacion”.
“Pjesë e gërmimeve ishin ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertëve të EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit./Insajderi.com