Përfundojnë ‘Takimet Tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora’

Përfundojnë ‘Takimet Tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora’

Në kuadër të edicionit të gjashtë “Takime tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora” të organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, janë promovuar afro 20 libra shqip, të shkrimtarëve që jetojnë dhe veprojnë në diasporë.

Në hapjen e punimeve të këtij aktiviteti, Muhamet Selmani këshilltar politik i ministrit Dardan Gashi, tha se Ministria e Diasporës e mbështet që disa vite rresht këtë aktivitet, pikërisht ngase e çmon lartë punën dhe kontibutin që këta shkrimtarë japin për letrat shqipe.

“Jemi mbledhur sot në këtë aktivitet qe tashmë është tradicional, e të cilin Ministria e Diasporës e mbështet me kënaqësi. Është aktivitet i veçantë në të cilën mërgimtarët tanë i shpalosën botës traditat tona shekullore. Është një lidhje e cila bashkon mendjet e ndritura. Krijimet e juaja fuqizojnë kulturën e atdheut” është shprehur Selmani.

Nga ana tjetër kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, Hasan Qyqalla u shpreh i nderuar më mbështetjen dhe mikpritjen që u ka dhënë Ministria e Diasporës, duke u dhënë hapësirën adekuate letrave shqipe.

Pas këtij aktiviteti, grupi i shkrimtarëve ka zhvilluar edhe një orë letrare me karakter garues.

Ndërsa në fund të aktivitetit shkrimtarët janë nderuar me certifikata dhe mirënjohje.