Ish-gjyqtarja Safete Tolaj, është shpallur e pafajshme në akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ky rast ka është i shënjestruar si njëra nga lëndët si kusht për liberalizim të vizave.
Gjykata e Ferizajt ka liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ish-gjyqtaren Safete Tolaj. Sipas aktgjykimit të kësaj gjykate, Prokuroria nuk ka vërtetuar akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-gjyqtares Tolaj.
Djali i Safete Tolaj, Fisnik Tolaj është shpallur fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, duke e dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim efektiv, shkruan Kallxo.com.
I akuzuari tjetër, zyrtari policor, Granit Shehaj është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që sipas aktgjykimit, prokuroria nuk ka vërtetuar se Granit Shehaj ka ushtruar ndikim duke keqpërdorur detyrën zyrtare si polic.
Gjykata e Ferizajt ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për konfiskimin e përhershëm të një banese me vlerë rreth 40 mijë euro, e cila është në emër të Blerina Vishaj, njëherit bashkëshortja e Fisnik Tolaj. Gjykata ka vlerësuar se kjo pronë nuk është e lidhur me veprën penale, ngase vlera e kësaj prone tejkalon vlerën për të cilën akuzohet Fisnik Tolaj.
Ky rast gjyqësor është i shënjestruar si një nga lëndët që janë kusht për liberalizimin e vizave.