Përfundon numërimi i votave për kandidatët në Kuvendin e Shqipërisë – Pandeli Majko nuk arrin të jetë deputet

Përfundon numërimi i votave për kandidatët në Kuvendin e Shqipërisë – Pandeli Majko nuk arrin të jetë deputet

Ka përfunduar zyrtarisht numri i kutive për kandidatët të cilët do të zënë ulëse në Kuvendin e Shqipërisë, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Emrat e rinj të kandidatëve pas këtyre zgjedhjeve, i ka bërë të ditur sot kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirijan Celibashi, transmeton Insajderi.

Partia Socialiste në këto zgjedhje ka arritur t’i sigurojë 74 mandate, po aq sa në zgjedhjet e vitit 2017, por që pjesë e këtij kuvendi nuk do të jetë ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili ishte i renditur me numrin 19 në listën e Tiranës.

Majko për herë të parë ka fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e 29 qershorit të vitit 1997. Që nga legjislatura IV e vitit 1997, Pandeli Majko ka qenë i pranishëm si deputet i PS-së në të gjitha legjislaturat në vijim.

Me anë të një postimi në Facebook, Majko fajëson sistemin elektoral.

“Miq, megjithëse matematika më rendit në 10 kandidaturat e votuara në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 25 prillit, unë nuk do të jem deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Sistemi elektoral është ky që kemi pranuar. Përvoja më ka mësuar se duhet të jesh i gatshëm të shohësh atë që ekziston. Isha i bindur se do t’i fitonim 19 mandate në Tiranë. Ndaj, fushatën për numrin tim personal 19 e kalova në plan të dytë. Edhe për këtë arsye rezultati nuk është një përrallë që e mposht me logjikë. Ju falënderoj që votuat për numrin 12, Partinë Socialiste”, thotë ai.

“Siç do të thoshte im atë ndjesë pastë… ‘19-ta kërkon leje për t’u ulur në aeroport!’ Ju jam mirënjohës që më bëtë ky që jam. Shpresoj t’u kem dhënë ‘everything’! Mirupafshim! Pandi Tiranë 30 Prill 2021”, deklaron Pandeli Majko.

Nga ana tjetër, bëhet e ditur se Partia Demokratike ka siguruar 59 mandate në të gjithë vendin, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 mandate dhe Partia Social Demokrate 3 mandate.

Taulant Balla është deputeti më i votuar në rang vendi, ndërsa pas tij vjen Fatmir Xhafaj.

Lulzim Basha ka arritur të marrë më shumë vota personale sesa Edi Rama, ndërsa gratë më të votuara nga dy partitë kryesore janë Belinda Balluku e PS-së dhe Grida Duma e PD-së. /Insajderi.com