Përfundon protesta për lirimin e Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut

Përfundon protesta për lirimin e Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut

Qytetarë e veteranë të shumtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u mblodhën sot para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë për të protestuar për lirimin nga burgu të Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut.

Në mesin e protestuesve ishin edhe përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Bashkëluftëtari i Selimit e Demakut, Sami Lushtaku, tha se kërkesë e vetme e tyre është që të respektohen ligjet.

“Sylejman Selimi nuk është në burg, po është i kidnapuar. Uroj që ai të lirohet dhe t`i kthehet familjes, qytetarëve dhe Kosovës”, tha Lushtaku.

Xhavit Jashari nga Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, tha se kjo proteste është simbolike, por kërkesa sipas tij është e qartë.

“Mos të na e marrin këtë protestë se po protestojmë kundër drejtësisë, veç pse jemi para objektit të Drejtësisë, po ne po protestojmë pikërisht për drejtësi, që në emër të saj në mënyrë të padrejtë po mbahen në burg Sylejman Selimi e ushtarët tjerë të UÇK-së”, tha Jashari.

Tomë Gashi, avokat i Sylejman Selimit, tha se Selimi është dënuar dhe mbajtur në burg vetëm për t`ia bërë qejfin dikujt.

“Tani më dihet se po mbahen me shumë se 5 vite në vuajte dënimit, të cilët janë të dënuar në mënyrë të kundërligjshme vetëm për të ia bërë qejfin dikujt tjetër”, tha Gashi.